Hakerat, Rama: Kthejnë avionët në bomba

Kryeministri Rama teksa paralajmëron rrezikun pa limite që vjen nga sulmet kibernetike, nga samitii Davosit ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve aleate për të triumfuar në këtë luftë.

Sulmet kibernetike mund të përdoren jo vetëm për të bllokuar mënyrë tonë të jetesës, por edhe për të përdorur avionët civilë, si bomba.

Ky është rreziku që kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar në Samitin e Davosit.

"Ajo çfarë kemi mësuar është se kjo është diçka për të cilën është tejet naive të mendosh që çdo vend, qoftë i varfër a i fuqishëm, qoftë i pasur ose jo, të mund ta adresojë i vetëm".

Për kryeministrin Edi Rama, sulmet kibernetike janë të pashmanghshme dhe është gjithmonë një luftë që vazhdon.

"Kiberkriminelët mund të jenë në shtëpinë tënde dhe ti nuk e di që i ke aty. Pra, janë depërtime dhe është njësoj si të marrësh e të vendosësh mina me sahat dhe të përcaktosh ditën, kohën kur të shpërthesh minën dhe deri atëherë, ti nuk e di që je duke fjetur mbi një minë".

Për të triumfuar ndaj sulmeve të tilla, kryeministri Rama sugjeron një koalicion të madh, duke lënë mënjanë burokracitë.

"Çështja është: Sa do të bëhen bashkë, sa do të bëhet bashkë bota, sa do të bëhen bashkë vendet. Sa vendet e vogla, të mëdha, të pasura dhe jo të pasura, do të kuptojnë që duhet të jenë me njeri-tjetrin sepse në mos për asgjë tjetër, Shqipëria tashmë është shembull shumë i rëndësishëm për të kuptuar çfarë vjen më pas".

Duke bërë thirrje për më tepër veprim sesa diskutim, kryeministri Rama mori si shembull edhe krimin tradicional, që sipas tij është më i organizuar se Bashkimi Evropian, pasi nuk harxhon kohë me samite që nuk përfundojnë kurrë.