Berisha e quan landfillin e Sharrës minierë floriri për Ramën e Veliajn, Vasili: Kaos, groposje primitive e plehrave
Monitorimi prej 180 ditësh nga Partia e Lirisë të funksionimit të fushës së menaxhimit të mbetjeve në sharrë janë kthyer në aksionin kryesor të opozitës në këtë nisje të vitit.
Pas denoncimit nga Monika Kryemadhi, Sali Berisha në një dalje të posaçme për mediat e cilësoi landfillin si një minierë për drejtuesit e mazhorancës.
"Sharra është minierë floriri e Ramës dhe Erion Veliajt," tha ai.
Berisha zbulon se bashkitë duhet të paguajnë vetëm 11 euro kur nuk ka incinerim, por në fakt fatura shkon në 29 euro për ton
"Jo 11 euro siç thotë kontrata, por 29 euro.Rama dhe Veliaj kanë vjedhur 54 milionë euro," tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD koncesionari menaxhon mbetjet njësoj siç edhe veprohej 20 vite më parë, ndërsa nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili e konsideroi një proces primitiv.
"Ju e patë ekselencën, një groposje primitive, një kaos, gjë e neveritshme që nuk ka të bëjë fare as me përpunimin normal që u bëhet mbeturinave, jo vetëm për detyrimet që rrëmebjnë dhjetra qindra miliona eruo por dhe për të mirën e ambjentit," tha Vasili.
Në denoncimet e bëra dy partitë kryesore të opozitës theksuan se prokuroria e posaçme nuk po kryen detyrën në hetimin e asaj që e konsideruan aferën më të madhe korruptive. Si zgjidhje ata theksuan reagimin e vetë shqiptarëve.
