Mandati i Xhaçkës, Shehaj: Kushtetuesja ka prova të mjaftueshme për të marrë vendimin e duhur

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën për mandatin si deputete të Olta Xhaçkës.

Seanca maratonë nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 17:25.

Maxhoranca dhe opozita kanë pasur përplasje të forta mes tyre për mandatin e ministres së Punëve të jashtme.

Deputeti Agron Shehaj duke folur pas seancës tha se Kushtetuesja ka prova dhe fakte të mjaftueshme për të marrë një vendim të drejtë.

Agron Shehaj: Avokati i Xhaçkës pranoi vetë se zonja shtetase e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës është kunata e zonjës Xhaçka.Vendimi në gjykimin tonë është shumë i thujeshtë.Besojmë se Gjykata Kushtetuese ka krijuar një standard, u heq mandatin deputetëve nëse përfitojnë nga pronat publike.

Jemi të bindur se ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akt korruptiv përndryshe do të ishte një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate nëse me vendimin e saj do të nxirrte të larë zonjën Xhaçka.

Nëse gjykata do jetë e drejtë nuk ka asnjë arsye dhe i ka të gjitha provat për të marë vendimin e duhur.Nëse ka një vendim tjetër që është marrë, ka argumenta, pretekste dhe justifikime sa të duam dhe sa të duan për të mos e marrë atë vendim.

U kujdesa shumë që të mos mbaj një fjalim që të dukej si presion, por fakti është se ne jetojmë në një vend ku mungon drejtësia, ku njerëzit largohen se nuk ka drejtësi sepse mendojnë se njerëzit e pushtetshëm si Xhaçka janë mbi ligjin, të praprekshëm  dhe nuk ndëshkohen. Kurse qytetarët e thjeshtë ndëshkohen padrejtësisht dhe të vetmen alternativë që kanë është ajo që të largohen nga vendi.

Opozita pretendon se Xhaçka nuk duhet të gëzojë këtë mandat pasi ka bërë shkelje.

Sipas opozitës, bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçe ka përfituar nga qeveria si investitor strategjik.

Kushtetuesja pritet që brenda afatit prej 30 ditësh të japë vendimin.