Edi Rama ndryshon ligjin për të mbajtur Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave
Ndryshimet ligjore që u bënë katër vite më parë për të shmangur mandatet e përjetshme dhe siguruar rrotacionet e krerëve të institucioneve të pavarura, duket se po zhbëhen nga socialistët.
Kjo pasi në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar së fundmi projektligji për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon rizgjedhjen e kryetarit aktual Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave me një mandat të dytë radhazi.

Në draftin e propozuar nga një grup deputetësh në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, parashikohet ndryshimi i Nenit 11 të ligjit nq fuqi, i cili në pikën 10, përcaktonte se “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi”.
Ndërsa me ndryshimin e propozuar nga socialistër, pika 10 e nenit 11 bëhet, “Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate”, ku siç shihet është hequr togfjalëshi, por jo radhazi”.
“Projektligji nuk prek thelbin dhe përmbajtjen e ligjit bazë, por korigjon disa dispozita parazitare, si dhe bën plotësime dhe saktësime që kanë të bëjnë me “përbërjen dhe detyrat e Asamblesë”, si organ i zgjedhur i Akademisë, me “zgjedhjen e Kryesisë”, si organ ekzekutiv i saj, me “vlefshmërinë dhe ndërprerjen e mandateve”, si dhe me “Dispozitat e fundit” që lidhen me “Strukturën, organikën dhe nivelin e pagave për Administratën e Akademisë”. Këto shtesa dhe ndryshime ligjore kolaudojnë pozitivisht ndërtimin dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave në përshtatje me nevojat e zhvillimit të vendit si edhe nevojën e rritjes së cilësisë, dobisë shoqërore e praktike dhe integritetit të kërkimit shkencor në vend”, thuhet në realacionin bashkëngjitur draftit.

