Mister në Fier/ Gjendet një targë, dëmtohet ura, dyshohet se një mjet ka përfunduar në lumë, ishte marrë me qira nga një 26-vjeçar
Gjendet një targë, dëmtohet ura, dyshohet se një mjet ka përfunduar në lumë. Targa e gjetur e një mjeti të marrë me qira nga një 26-vjeçar, telefoni i tij i fikur
Kjo targë e mbetur mbi urë dhe parmakët anësore të dëmtuar ngritën dyshimet mëngjesin e të dielës se një mjet mund të kishte përfunduar në lumë.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur orët e para të mëngjesit në vendin e quajtur "Ura e Mbrostarit".
Nga verifikimet rezultoi se targa e gjetur i përket një automjeti të marrë me qira nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.
Rreth mesditës katër polumbarë të Renea-s nisën kërkimet përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit.
Poshtë urës u gjetën disa pjesë të një automjeti, çka përforcuan dyshimet se makina ndodhet në lum.
Por rryma e fortë por edhe thellësia në lumin Seman vështirësoi vazhdimin e kërkimeve që deri më tani nuk kanë dhënë rezultat.
Polumbarët kanë kërkuar mbylljen e digës së Gramshit, hapja e së cilës ka shtuar mbi një metër nivelin e lumit Seman duke ndërlikuar punën për gjetjen e mjetit.

