Avionë e tanke pranë luftës, NATO zhvendos nga Gjermania në Rumani avionët vëzhgues
NATO ka vendosur të zhvendosë nga gjermania në rumani një pjesë të avionëve të saj vëzhgues. Ata do të vendosen në një bazë vetëm 200 kilometra larg kufirit me ukrainën. Edhe SHBA është përfshirë në forcimin e krahut lindor të aleancës për shkak të luftës, duke zhvendosur mbi 1 mijë tanke dhe mjete të tjera drejt Polonisë dhe Lituanisë.
NATO dhe SHBA po avancojnë hapat për forcimin e krahut lindor për shkak të luftës në ukrainë. Aleanca veriatlantike raportohet se së fundi po zhvendos disa prej avionëve të saj të zbulimit nga Gjermania në Rumani.
Këta avionë do të jenë më afër territorit të Ukrainës, teksa Rusia po vazhdon pushtimin e këtij shteti. Avionët e zbulimit me Sistemin Ajror të Paralajmërimit dhe Kontrollit (AWACS) pritet të arrijnë në Bukuresht të martën “për të mbështetur prezencën e përforcuar të aleancës në rajon dhe për të monitoruar akvititetin ushtarak rus”, tha NATO përmes një njoftimi.
Avionët AWACS, që zakonisht janë të stacionuar në perëndim të Gjermanisë, do të stacionohen në bazën e forcave ajrore rumune në Otopeni afër Bukureshtit, rreth 200 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
“Teksa lufta e paligjshme e Rusisë në Ukrainë vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në Evropë, nuk duhet të ketë dyshime lidhur me vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleatëve”, tha zëdhënësja Oana Lungescu.
Zyrtarisht nuk është konfirmuar numri i avionëve që do të zhvendosen por sipas DPA, tre të tillë bashkë me 180 pjesëtarë të personelit ushtarak do të dislokohen në bazën në Otopeni.
Ndërkohë duke nisur nga 11 janari, një numër i madh tankesh dhe automjetesh ushtarake amerikane mbërritën në portin holandez të Vlissingen të destinuara për t'u dërguar në Poloni dhe Lituani për të forcuar krahun lindor të aleancës. Koloneli Robert Kellam, i cili menaxhon operacionin nga pala amerikane, citohet nga Reuters të ketë thënë se në port kanë mbërritur rreth 1250 njësi pajisje ushtarake.
Armatimi përfshin tanke M-1 Abrams dhe automjete luftarake Bradley. Shtëpia e Bardhë ka thënë më parë se forca shtesë amerikane do të qëndrojnë në Poloni, të ngarkuara me sigurimin e krahut lindor të NATO-s.
Kjo lëvizje e nxitur nga lufta në Ukrainë, vjen pasi Presidenti i Rumanisë kërkoi që NATO të vendosë edhe më shumë forca dhe pajisje në krahun lindor të aleancës.