Një prokuror i posaçëm për të hetuar dokumentet e klasifikuara në banesën e presidentit Biden
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland njoftoi të enjten emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve të ndjeshme qeveritare nga Presidenti Joe Biden – një hetim që mund të hedhë hije mbi kandidimin e pritshëm të presidentit demokrat për një mandat të dytë në vitin 2024.
BBC shkruan se Robert Hur, një ish-zyrtar i lartë i departamentit të drejtësisë gjatë presidencës Trump, do të drejtojë hetimin.
Dosjet e klasifikuara u gjetën kohët e fundit në shtëpinë e presidentit amerikan Joe Biden dhe në një zyrë që ai përdori pas mandatit të tij si zëvendës-president.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të bashkëpunojë plotësisht për hetimin.
Zbulimi i dokumenteve është quajtur një siklet politik për zotin Biden, pasi vjen gjatë një hetimi në vazhdim për keqpërdorimin e supozuar të dosjeve të klasifikuara nga vetë ish-presidenti Donald Trump.
Grupi i parë i dosjeve u gjet më 2 nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut kërkimor i nisur nga zoti Biden në Uashington DC. Më pas ato iu dorëzuan Arkivit Kombëtar të SHBA-së, tha zoti Biden.
Garland tha se një grup i dytë dosjesh u gjetën më 20 dhjetor në shtëpinë e zotit Biden në Wilmington, Delaware.
Ai shtoi se të enjten në mëngjes, avokatët e zotit Biden thirrën hetuesit për t’i njoftuar ata për një dokument shtesë, të gjetur gjithashtu në shtëpinë private të presidentit.
Pas një hetimi fillestar nga Prokurori i SHBA-së, John Lausch, Garland tha se zyra e tij vendosi që një avokat special ishte i nevojshëm për të hetuar trajtimin e dosjeve nga Biden për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme” të çështjes.
Ndër të tjera avokati i Shtëpisë së Bardhë, Richard Sauber, tha se zoti Biden ka bashkëpunuar plotësisht me shqyrtimin e Departamentit të Drejtësisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me hetimin e këshilltarit special.

