"Revoko vizën amerikane të Bolsonaros" thirrja e 41 kongresmenëve demokratë për administratënm Biden
Dhjetra ligjvënës demokratë i bënë thirrje sot administratës së presidentit Joe Biden që të bashkëpunojë me autoritetet braziliane në hetimin e protestave të dhunshme në Brasilia dhe t'i heqë vizën amerikane ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro.
41 kongresmenët dërguan një letër duke i bërë thirrje qeverisë amerikane të mbështesë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Brazil.
“Për më tepër, ne nuk duhet të lejojmë që zoti Bolsonaro apo ish-zyrtarë të tjerë brazilianë të kërkojnë strehim në SHBA për t'i shpëtuar drejtësisë për çdo krim që mund të kenë kryer gjatë kohës që ishin në detyrë”, theksojnë ata në letër.
Bolsonaro i ekstremit të djathtë fluturoi për në Florida dy ditë para përfundimit të mandatit të tij më 1 janar dhe presidenti i majtë Luis Inacio Lula da Silva mori postin e presidentit.
Mbështetësit e Bolsonaros sulmuan Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial të Brazilit të dielën, duke bërë thirrje për një grusht shteti ushtarak për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të tetorit.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë nuk ju përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi letrën.
Departamenti i Shtetit ka deklaruar vazhdimisht se politika e tij nuk është të diskutojë raste specifike të vizave.
Sekretari i Jashtëm Anthony Blinken tha të mërkurën se Uashingtoni nuk kishte marrë asnjë kërkesë nga Brazili në lidhje me Bolsonaron.
Ish-presidenti i Brazilit tha në rrjetet sociale se do të kthehet në shtëpi më herët se sa ishte planifikuar për arsye mjekësore.
Ai ka mohuar se ka nxitur mbështetësit e tij, duke thënë se rebelët "e kapërcyen kufirin".
Presidenti i SHBA, Joe Biden, dhe liderë të tjerë botërorë kanë dënuar incidentet e dhunshme të së dielës në Brazil.
