Pas sherrit i shkon me ekskavator duke i goditur shtëpinë, italiani e vret me armë shqiptarin
Gjatë një mosmarrëveshjeje mes fqinjëve, një 57-vjeçar me origjinë shqiptare ka sulmuar një shtëpi me ekskavator, por 53-vjeçari e ka qëlluar dhe e ka vrarë.
Ndërkohë, pas ngjarjes 53-vjeçari u arrestua nga policia italiane si i dyshuar për vrasje. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në San Polo, një fshat në Arezzo.
Sipas një rikonstruksioni fillestar, 57-vjeçari shqiptar, me një ekskavator fillimisht ka dëmtuar katër makina të parkuara, të gjitha në pronësi të familjarëve të të arrestuarit.
Më pas ai ka goditur disa herë muret dhe çatinë e ndërtesës me kovën e mjetit, duke i shkaktuar dëme konstruktive shtëpisë në të cilën ndodhej i arrestuari dhe familja e tij, të cilët po darkonin së bashku në prag të festës së Epifanisë.
I zoti i shtëpisë reagoi duke qëlluar disa herë me pushkë në drejtim të shqiptarit dhe e ka lënë të vdekur në vend atë.
Në vendngjarje kanë qenë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndalur motorin e buldozerit, i cili ka mbetur i ndezur dhe janë siguruar që njerëzit të largohen nga shtëpia.

