Skandal me kompaninë Kuwait Airways në Spanjë, zhvishnin gjatë intervistës kandidatet për stuardesë

Disa vajza u paraqitën për një intervistë pune në Spanjë, në një hotel në Madrid, dhe pronarët, për të kryer përzgjedhjen, në vend që të kërkonin informacion mbi përvojat, gjuhët e folura dhe aftësitë profesionale, i detyruan të zhvishen, duke qëndruar vetëm me të brendshme.

Kërkimi i punës për stuardesë u krye për Kuwait Airways dhe agjencia që kishte thirrur kandidatët ishte një kompani spanjolle, tani nën hetim nga Departamenti Iberik i Punës. Disa nga gratë e përfshira, të mbledhura në hotelin Melià Barajas në Madrid, treguan gjithçka: komentet poshtëruese dhe kërkesat shqetësuese për të hequr rrobat.

Ngjarja u bë publike nga gazeta spanjolle “El Diario”, sipas së cilës më 5 nëntor shumë kandidatë për pozicionet e ofruara të punës shkuan në një takim me rekrutuesit e agjencisë. Jo vetëm që i kanë kërkuar të dalin me të brendshme me justifikimin për të kontrolluar ndonjë difekt” të lëkurës dhe trupit, por kanë bërë edhe komente poshtëruese për to.

 “E patolerueshme. Është një sjellje e patolerueshme – komentoi ministri i Punësimit, Joaquìn Pérez Rey – që cenon dinjitetin dhe të drejtat themelore të këtyre grave”. Ministrja foli për “diskriminim në aksesin në punë” dhe thotë se ka qenë një sjellje për të mbledhur “të dhëna absolutisht të parëndësishme për procesin e përzgjedhjes, të cilat nuk mund të bazohen në elemente diskriminuese apo të dhëna personale sensitive”. Ajo gjithashtu hipotezon se janë konstatuar dhe "sjellje ngacmuese".

Sipas dëshmive të grave të thirrura, rekrutuesit i komentonin “figurat” e tyre me fraza të tilla si “Nuk na pëlqen buzëqeshja jote” ose “Ti ke një trup slitë”.

Pas një “selektimi” fillestar të kandidatëve (duke përjashtuar ata me shenja të dukshme të lindjes, me nishane, plagë, ata me syze apo mbipeshë), “të përzgjedhurat” u detyruan të hynin në një dhomë ku u “ftuan” të hiqnin rrobat, praktikë kjo e paligjshme në Spanjë.

Inspektorati Spanjoll i Punës ka hapur një hetim për këtë çështje dhe po mbledh të dhëna dhe informacione për të analizuar "karakteristikat e ofertës dhe procesin e përzgjedhjes". Agjencia kishte publikuar ofertën e punës në profilin e saj në Instagram duke kërkuar disa kandidate, duke përfshirë "gjatësinë minimale 160 centimetra, peshë proporcionale, formë të mirë fizike, gatishmëri për të kaluar një ekzaminim mjekësor në Kuvajt".

Ajo që ndodhi gjatë përzgjedhjes, sipas inspektoratit, “mund të jetë subjekt i sanksioneve shumë të rënda” të parashikuara nga ligji spanjoll, i cili parashikon gjoba deri në 225 mijë euro.

Dhe përsëri, duhet theksuar se “kërkesa për të dhëna private që mund të jenë diskriminuese për aksesin në punë është e dënueshme, si dhe dëmtim i privatësisë dhe dinjitetit të punëtorëve, siç duket se ka ndodhur në ofertën e punës dhe në proces të përzgjedhjes në këtë rast”.

Një nga kandidatet, Marianna, 23 vjeç, tha se ndihej "si një kafshë e kopshtit zoologjik" kur u detyrua të qëndronte me të brendshme, ndërsa një grua e bëri me shenjen X dhe bëri shënime.

Një tjetër, Bianca, tha se "një vajzë hyri në atë dhomë dhe doli e përlotur. Kur hyra, më kërkuan të hiqja fustanin. E tërhoqa nën gju dhe ata e ngritën deri lart."