Lukashenko "tmerron" Ukrainën, viziton bazën ushtarake ruse në Bjellorusi, mbikëqyr stërvitjen e trupave të Putinit

Teksa Rusia dhe Bjellorusi kanë forcuar bashkëpunimin e tyre ushtarak, në Ukrainë rritet frika e një armiku të ri. Minsku ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në luftë, por nga ana tjetër sipas Kievit, Rusia vijon ta përdorë hapësirën ajrore të saj për sulme me dron dhe raketa.

Bjellorusia ka deklaruar zyrtarisht se nuk do të përfshihet në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Por lëvizjet e Presidentit Aleksandër Lukashenko, e vënë në dyshim këtë qëndrim.

Presidenti i Bjellorusisë, vizitoi të premten një bazë ushtarake në territorin e saj, ku janë pozicionuar trupa ruse.

Reuters raporton se gjatë takimit, Lukashenko dhe një përfaqësues i paidentifikuar nga ushtria ruse, kanë diskutuar mbi stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes dy vendeve.

Bjellorusia, aleatja e ngushtë e Moskës, tha të enjten se do të marrë më shumë armë dhe pajisje nga Rusia, ndërsa të dyja forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak, po nxisin sinjalet se sulmet kundër Ukrainës do të fillojnë edhe nga veriu.

Pavarësisht se Minsk ka deklaruar se nuk do të hyjë në luftën, në Ukrainë, Kievi zyrtar shprehet se nuk u zë besë, nisur edhe nga fakti se Rusia përdori Bjellorusinë si pikënisjen e saj për të filluar luftën në 24 shkurt të vitit të kaluar dhe vazhdon të përdorë hapësirën ajrore bjelloruse për sulme me dron dhe raketa.