Britani/ Morën peng dy të rinjtë shqiptarë, 19 vite e 6 muaj burg për shqiptarin Andi Alushin dhe bashkëpunëtorin lituanez
Gjykata britanike ka dënuar me nga 19 vite e 6 muaj burg dy pengmarrësit, shqiptarin Andi Alushi dhe lituanezin Valdemaras Kasinskas, të cilët ishin rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht dy të rinjve shqiptarë E. R. dhe O. L., ngjarje kjo e ndodhur në 14 maj të vitit të kaluar në në Sheffield.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) në një njoftim për shtyp bën me dije se gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në vazhdim të hetimeve të përbashkëta në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara, janë dërguar në gjykim të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas.
Pas deklarimit fajtor nga Gjykata e Kurorës në Shefielld, të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinkas, më datë 03 janar 2023 janë dënuar për veprat penale të kryera prej tyre me nga 19 vjet e 6 muaj burgim.
Në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

