Abuzime me tenderin 7 mln lekë për zjarrfikëse, burg për gjashtë ish-zyrtarët e Bashkisë Durrës

Gjashtë ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit u dënuan me heqje lirie nga 10 deri në 11 muaj për abuzime me tenderin e blerjes së një autoshkalle për shërbimin zjarrfikës e cila ka rezultuar jashtë funksionit. Si pasojë e shkeljeve në tender, zyrtarët akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 7 milionë lekë

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka dënuar ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit për abuzime me tenderin e zjarrfikëses.

Me vendim të formës së prerë të pandehurit, Adriatik Velaj, Muhamet Likaxhiu dhe Artan Taho është lënë në fuuqi dënimi me 3 muaj burg, të tre me akuzën e shpërdorimit të detyrës si anëtarë të komisionit të vlerës së fondit limit.

Ndërsa anëtarët e komisionit limit të ofertave Gjergj Markola, Indrit Matumjadhe Patriot Beqiraj janë dënuar me 10 dhe 11 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera.

Administratori i Klosi.R Company që fitoi tenderin Riza Sulaj është dënuar me 11 muaj burg për falsifikim të vulave.

Të tjerë të dënuar janë, Albion Bushi, Elona Rami dhe Lulzime Rami, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., të cilët kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”.

Ish zyrtarët e bashkisë dhe personat e tjerë akuzohen se kanë abuzuar me tenderin 7 mln lek  për të blerë një auto-shkallë zjarrfikëse, e cila nuk punonte pasi ishte jashtë funksionit.

Për rrjedhojë shuma e tenderit të zhvilluar në vitin 2020 është vlerësuar si dëm ekonomik në buxhetin e shtetit duke i akuzuar ish zyrtarët për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Pas nisjes së hetimit, zyrtarët u arrestuan me urdhër të SPAK në tetor 2021.