Soko: Bashkia Tiranë nuk ka bërë publik buxhetin, paratë ikin në të zezë, kërkojmë transparencë

Në një intervistë për RTV Ora, Pano Soko, nga Nisma Thurje u shpreh se paratë e buxhetit të bashkisë së Tiranës janë shpërndarë në mënyrë të errët.

Sipas tij, nuk ka pasur diskutime publike pas vitit 2019 me  këshilli bashkiak monopartiak dhe se nuk beson se buxheti nuk është miratuar me një mbledhje normale, por me një vendim qarkullues.

Pano: Paratë e bashkisë së Tiranës janë shpërndarë në mënyrë të errët. Nuk ka pasur diskutim me qytetarët dhe nuk ka pasur diskutime për projektet dhe taksat që janë vendosur. Së fundi ka kulmuar me buxhetin që nuk bëhet më as publik. Janë rreth 200 milionë euro, ku 140 milionë euro janë vetëm taksat tona. Nuk ka pasur diskutime publike pas vitit 2019  pasi këshilli bashkiak ka qenë një zgjatim i kryetarit të bashkisë. Nuk besoj se buxheti nuk është miratuar me jë mbledhje normale, por me një vendim qarkullues.

Prandaj Nisma Thurje është e shqetësuar për çështjet e këshillit bashkiak. Prandaj kur të jetë gara në zgjedhje duam që të shkojmë në këtë këshill për t’i vënë në vend legjitimitetin. Askush nuk është pyetur kur janë vënë taksat, apo janë rritur disa herë. Sot qytetarët e Tiranës paguajnë minimalisht 25 mijë lekë faturë, ndërkohë që në faturën e ujit shumica janë taksa me qëllim për të krijuar mekanizmin e mbledhjes së detyrimeve. Në vitin 2016 kur u pranua aplikimi i bashkisë për rritje çmimi, u rrit me justifikimin për të sjellë ujë 24 në Tiranë deri në vitin 2022 si afat final.

Pano shtoi se Nisma Thurje kërkon transparencë nga bashkia e Tiranës pasi e detyron edhe ligji dhe se rritja e taksave bëhet pa konsultim.

Pano: Ne kërkojmë transparencë nga bashkia e Tiranës pasi e detyron edhe ligji. Ne kemi paguar shtesa taksash duke mos e ditur dhe duke mos na pyetur. Vetëm jemi përballur me rritjen e taksave dhe mund të ndodhë edhe këtë vit. Ne prandaj kërkojmë transparencë për buxhetin e bashkisë. Ne nuk kemi një këshill bashkiak. Ky këshill kontrollon sa taksa do të paguhen dhe pse, dhe çfarë do të bëhet me këto para. Kjo është një punë që duhet bërë nga këshilli bashkiak, por në këto 4 vite ka qenë zgjatimi i kryetarit.


Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.