Hapet “thesi” për deputetët, rreth 60 mijë lekë rimbursime për ofertat telefonike dhe karburant
Deputetët e parlamentit shqiptar kanë harxhuar rreth 20 mijë lekë të reja në muaj vetëm për shpenzime telefonike, kur oferta më e shtrenjtë që kompanitë ofrojnë për qytetarët e thjeshtë nuk kushtojnë më shumë se 2200 lekë. Përveç kësaj, deputetët kanë përfituar çdo muaj shuma që variojnë deri në 40 mijë lekë të reja në muaj për karburant, sa janë të ardhurat e punës mujore të qytetarëve të thjeshtë bazuar në pagën minimale në Shqipëri.
Oferta më e shtrenjtë mujore që ofrojnë kompanitë telefonike në Shqipëri kushton jo më shumë se 2200 lekë të reja, ndërkohë që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë harxhojnë afro 10-fishin vetëm në një muaj.
Vetëm rimbursimet për ofertat telefonike të deputetëve të parlamentit fillojnë nga 17 mijë lekë të reja deri në 20 mijë lekë të reja.
Kreu i grupit të Partisë Socialiste,Taulant Balla, deputeti Arben Pëllumbi, kryetarja e Komisionit të ligjeve Klotilda Bushka si dhe deputetët opozitarë Jorida Tabaku, Flutura Açka dhe ish-deputetja Grida Duma, janë rimbursuar me 20 mijë lekë të reja për pagesat telefonike gjatë muajit tetor të vitit 2022.
Rimbursimet për ofertat e telefonit
-Balla, Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Jorida Tabaku, Flutura Açka, Grida Duma me 20 mijë lekë të reja
-Antoneta Dhima, Blerina Gjylameti, Xhemal Qefalia, Rrahman Rraja, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Belind Këlliçi me 17 mijë lekë të reja
Ndërkaq edhe rimbursimet për karburant, fillojnë nga 33 mijë lekë të reja deri në 40 mijë lekë të reja në muaj, sa rroga minimale në vend me të cilën paguhet për punën e një muaji një qytetar i thjeshtë.
Pjesa më e madhe e parlamentarëve shqiptarë, gjatë muajit tetor janë rimbursuar me shumën më të lartë, pra atë të 40 mijë lekë të reja.
Rimbursimet për karburant
-Paulin Sterkaj, Damian Gjiknuri, Bujar Leskaj, Zef Hila, Bledjon Nallbati, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Ina Zhupa me 40 mijë lekë të reja
-Taulant Balla, Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka, Mimi Kodheli, Dashamir Shehi, Belind Këlliçi, Dashnor Sula me 30 mijë lekë të reja.
Rimbursimi nga buxheti i shtetit duket se i ka lënë deputetët të pa prekur edhe nga rritja e çmimit të karburanteve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
