Kushtetuesja pranon “Butrintin”, Gjykata kalon padinë në seancë publike, kërkon argumentet

Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë padinë e opozitës kundër projektit të qeverisë për dhënien me koncesion të butrintit. Pala paditëse është njoftuar të paraqesë argumentet e saj me shkrim deri në datën 23 janar, me qëllim shqyrtimin e çështjes në seancë publike lidhur me kërkesën për anulimin e vendimit.

Gjykata Kushtetuese pranon të shqyrtojë ligjshmërinë e koncesionit të qeverisë për menaxhimin e Bitrintit. Lajmi është bërë publik nga deputetja demokrate Ina Zhupa e cila ka shpërndarë edhe njoftimin zyrtar të gjykatës kushtetuese.

“Padia pranohet nga Gjykata Kushtetuese e cila fton të gjitha palët të paraqesin argumenta dhe prova brenda datës 23 Janar 2023. Më pas do zhvillohet seanca plenare publike! Gjykata Kushtetuese do qëndrojë në lartësinë e emrit dhe pozicionit që ka! Butrinti do të fitojë!- ka shkruar Ina Zhupa.

Në dokumentin e lëshuar nga sekretari I përgjithshëm, thuhet se pas shqyrtimit paraprak në datën 22 dhjetor 2022, të ligjit për miratimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit për Menaxhimin e “Butrintit”, gjykata kushtetuese thekson se ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike.

Pala paditëse, njoftohet se për zhvillimin sa më të plotë të këtij gjykimi, gjykata kushtetuese kërkon paraqitjen me shkrim të parashtrimeve, nëse ka argument shtesë për padinë e paraqitur.

Padia kundër koncesionit të Butrintit u dorëzua në gjykatën kushtetuese më 14 nëntor nga deputetja Ina Zhupa. Ajo theksoi se ankimi është firmosur nga 36 deputetë, nga të cilat 32 janë të PD, 3 firma të PL dhe 1 është deputeti Dashamir Shehi.

Sipas palës paditëse, “me koncesionin e Butrintit është shkelur neni 3 i Kushtetutës, i cili thotë që shteti shqiptar është garant për identitetin dhe për trashëgiminë kulturore. Në rast të këtij koncesioni nuk është shteti shqiptar, sepse shteti shqiptar ka vetëm 20%.

Po kështu, në padi, theksohet se është shkelur Konventa e Parisit, konventa e trashëgimisë kulturore, pasi Butrinti përveçse pasuri shqiptare, është edhe pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, çka kërkon që të menaxhohen dhe të administrohen vetëm nga shteti”.

Në ankimin e dorëzuar nga opozita, citohet një material me 3623 faqe prova që pretendojnë se ky koncesion është antishqiptar, klientelist dhe kundër interesit publik.

Në maj të vitit 2022, mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF.

Marrëveshja parashikon se Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.