Shanghai, pacientët me Covid në trotuare, spitale në kolaps

Në Shanghai ka një emergjencë gjithnjë e më të madhe të Covid.

Në spitalet e mbipopulluara në një nga qytetet më të pasura të Kinës, pacientët e moshuar po mbingarkojnë shërbimet e urgjencës.

Situata shëndetësore është veçanërisht kritike.

Që nga muaji i kaluar, rreth 70% e popullsisë, ose rreth 18 milionë njerëz, janë infektuar me virusin, sipas mediave zyrtare.

Në dy spitale në qytet, gazetarët e AFP-së panë qindra pacientë kryesisht të moshuar të shtrirë në barrela në zonat publike ndërsa repartet e urgjencës ishin të mbushura përtej kapacitetit.

Të mbështjellë me batanije, pallto dhe kapele leshi, shumë prej tyre ishin të lidhur me pikat intravenoze, monitorët e zemrës ose rezervuarët e oksigjenit dhe dukshëm po përpiqeshin të merrnin frymë.

Disa u duk se nuk reagonin plotësisht.

Sistemi shëndetësor i mbingarkuar nga njerëz të sëmurë dhe urgjenca

Edhe autoritetet tani pranojnë se shtrirja e shpërthimit është "e pamundur" për t'u përcaktuar, pasi testet nuk janë më të detyrueshme dhe të dhënat janë të paqarta.

S'kaloi shumë, sistemi i kujdesit shëndetësor u mbingarkua, me farmaci të mbushura me kërkesa për ilaçe kundër temperaturës dhe krematoriume të përmbytura nga fluksi i të vdekurve.

Numrat zyrtarë jashtë realitetit

Ndërkohë, teksa autoritetet rishikuan kriteret për atribuimin e një vdekjeje ndaj Covid-it, vetëm 15 vdekje të lidhura me virusin janë raportuar në vendin prej 1.4 miliardë banorësh që nga fillimi i dhjetorit.

Shifra këto që dukenn absolutisht jashtë realitetit.

Nënkryetari i spitalit: Infektimi 30 herë më i madh se ai i majit

Për dimensionet e frikshme të infeksionit në Shangai flet Chen Ezhen, nënkryetar i spitalit Ruijin dhe anëtar i këshillit bashkiak të ekspertëve të Covidit, në një intervistë me bordin e "Dajiangdong Studio" të "People's Daily" të partisë komuniste.

"Tani përhapja e pandemisë në Shangai është shumë e gjerë - tha ai-, 70% mund të ketë arritur. Po flasim për 20 ose 30 herë më shumë infeksione se në prill dhe maj".

Rritja e infeksioneve erdhi pas lehtësimit të kufizimeve drakoniane kundër virusit, të cilat ishin në fuqi në të gjithë vendin deri muajin e kaluar.

Numrat e makthit në spital

Shangai tashmë i ishte nënshtruar një bllokimi të rëndë dy-mujor në pranverë, kur më shumë se 600,000 banorë u infektuan.

Chen shtoi se spitali i tij ka 1600 pranime urgjente çdo ditë, dyfishi i numrit përpara lehtësimit të kufizimeve, 80% e të cilave lidhen me Covid.

Dhe ai shpjegon: “Mbi njëqind autoambulanca vijnë çdo ditë dhe mbi gjysma e pranimeve kanë të bëjnë me pacientë mbi 65 vjeç”.