Ushtria e SHBA-së stërvitje në Rumani, 4700 trupa vetëm 7 minuta larg nga raketat ruse
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në Rumani pranë frontit të luftës në Ukrainë 4700 trupa të divizionit ajror të cilat po kryejnë stërvitje. Bashkë me trupat rumune dhe britanike ushtarët amerikanë ndodhen vetëm 7 minuta nga fronti i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Mediat amerikane e shohin këtë stërvitje si shprehje të zotimit të SHBA për të mbrojtur çdo centimetër të NATO-s nga çdo agression i mundshëm.
Mijëra trupa të ushtrisë amerikane kanë nisur një stervitje në Rumani, vetëm 7 minuta larg zonës së raketave ruse nga Krimea. Raportimi vjen nga gazeta amerikane Nevv York Times që shkruan se bëhet fjalë për transferimin e 4700 ushtarëve nga Divizioni Ajror i Ushtrisë Amerikane.
“Dislokimi në një vend të NATO-s pranë konfliktit në Ukrainë shihet si një model parandalimi për forcat ushtarake amerikane që kohët e fundit nuk kanë marrë pjesë në luftime të drejtpërdrejta”, thuhet në raport.
Sipas tij, ushtria amerikane “po kryen bombardime artilerie, duke përdorur helikopterë sulmues dhe duke hapur llogore të ngjashme me ato në vijën e frontit në rajonin Kherson.
Vendosja e trupave në Rumani shihet si një paralajmërim për Moskën dhe një mënyrë për t'u siguruar që aleatët në Evropën Juglindore të jenë gati për çdo situatë”, shkruan gazeta.
Si pjesë e stërvitjeve ushtarake me trupat amerikane dhe britanike, trupat rumune po testojnë raketat HIMARS, "e njëjta armë armë që ndihmoi Ukrainën në përballje me trupat ruse duke I detyruar të tërhiqen", shkruan NYT.
Sipas mediave, për momentin, nuk është e qartë se çfarë kontigjenti planifikon të stacionojë SHBA në Rumani pas stërvitjes.
Kjo është hera e parë që Divizioni i 101-të Ajror është vendosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe me praninë e tyre në Rumani, ushtarët janë më afër luftës në Ukrainë se çdo njësi tjetër e ushtrisë amerikane.