"I mori Gjermania", mungesë stafi te neurologjia: 1 infermier për 20 pacientë

Mungesa e stafit në spitale, po bëhet gjithnjë e më e dukshme ndërsa në pavionin e neurologjisë, numri i infermierëve kryesisht në turnin e dytë është reduktuar duke sjellë vështirësi për shërbimin ndaj pacientëve. Për afro 20 pacientë në kat, shërben vetëm një infermier duke e bërë më të vështirë punën. Reduktimet janë të theksuara në fundjavë ndërsa qytetarët raportojnë edhe probleme me ilaçet.

Një infermier për gati 20 pacientë, ky ishte shërbimi me të cilin është përballur pacientja 23 vjeçare, në pavionin e neurologjisë në QSUT.

E reja e cila ka pasur për gati 3 javë të afërmin në këtë shërbim, thotë se turni natës ishte më i vështiri.

“Përsa i përket natës, ka pasur mungesë të theksuar të stafit. Në një nga katet e neurologjisë, vetëm një infermier mund të shërbente mbi 20 pacientë,” tha ajo.

Me raste,edhe medikamentet u janë dhënë me vonesë.

“Ka pasur të sëmurë që serumin duhej ta mernin në orën 8, e ka marrë një orë më pas, sepse një infermier i vetëm nuk mund ta përballoj fluksin e punës,” tha ajo.

Më të vështira janë fundjavat, ku veç mungesës së stafit, punohet edhe me reduktime të shërbimeve.

“Fundajava e Krishtlindjeve ka qënë që ka patur më tepër vështirësi, përsa i përket edhe atyre pak infermierëve të tjerë që ishin,” tha ajo.

Kjo situatë nuk është e vështirë vetëm për pacientët, por edhe për infermierin që shërben në turn, i cili duhet të përballojë të gjithë fluksin e shtuar.

“Ky është një problem si për pacientët të cilët vijnë me diagnoza të ndryshme po si nga ana e infermierit, që do të thotë, një nuk mund të përballoj të gjithë fluksin e mbledhur. Mund të ketë pacientë që mund të kenë kriza në të njëjtën kohë dhe duan shërbim, ” tha ajo

Gjermania dhe Italia janë dy nga shtetet që kanë marrë më shumë mjekë e infermierë nga Shqipëria, ndërsa largimi i bluzave të bardha vijon duke krijuar mungesa të tjera në stafin e sistemit shëndetësor në vend.