Krishtlindje me apel për dialog, mesha e mesnatës u mbajt në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë

Në Prishtinë klerikët apeluan për dialog dhe gjetjen e gjuhës mes Prishtinës dhe Beogradit. Të njëjtën thirrje ka bërë nga Shkodra edhe Angelo Masafra duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit. Besimtarët e krishterë në meshat e organizuara u lutën për më shumë mirësi, teksa festimet u zhvilluan edhe jashtë objekteve të kultit.

Nata e shenjtë e lindjes së Krishtit u festua edhe në Kosovë gjatë mesnatës së 25 dhjetorit.

Në Prishtinë Mesha u mbajt në katedralen “Nënë Tereza”  ndërsa festimet vijuan edhe në qytetet e tjera si Prizren, Suharekë, Pejë dhe Gjilan.

Me një mesazh kundër gjuhës së urrejtjes dhe shmangies së konflikteve, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë Dodë Gjergji u bëri thirrje dhe zyrtarëve që të marrin pjesë në dialogun Kosovë-Serbi dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Nuk duhet të presim që pajtimi të vijë vetë. Duhet të angazhohemi më seriozisht dhe të punojmë më seriozisht dhe me përkushtim që të mos lejohet një konflikt i ri në rajon. Sado që ka persona që e duan luftën më shumë janë ata që duan paqen dhe kjo duhet të vijë sa më shpejt.”


Në të njëjtin qëndrim për diskutimet mes Beogradit dhe Prishtinës ka qëndruar edhe imzot Angelo Masafra në meshën e organizuar në Shkodër.

Në Kosovë gjithashtu mbajt edhe një koncert festiv për besimtarët e krishterë pak orë përpara meshës, ndërsa festimet vijojnë në çdo cep të Kosovës përgjatë gjithë ditës.