Lufta në Ukrainë, mediat ndërkombëtare: Stafi i Zelenskyt po përgatit planin e paqes

Në Ukrainë, administrata e Presidentit Volodymyr Zelensky po finalizon "formulën e paqes" prej 10 pikash të përmendur fillimisht në samitin e G20 në Bali dhe ndoshta do ta paraqesë atë në fund të shkurtit, një vit pas fillimit të operacionit special ushtarak të Rusisë.

Këtë e raporton “Wall Street Journal”, duke cituar diplomatë ukrainas dhe europianë. 

Sipas raportimeve të mediave, Ukraina po kërkon rezultate në fushën e betejës për të forcuar pozicionin e saj negociues përpara bisedimeve.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi sot se "sa më shpejt të përfundojë konflikti, aq më mirë". 

"Qëllimi ynë nuk është të kthejmë timonin e një konflikti ushtarak, por përkundrazi t'i japim fund kësaj lufte. Ne jemi të përkushtuar ndaj kësaj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne do të punojmë shumë për të siguruar që kjo të përfundojë, dhe sigurisht sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.

Ai shtoi se "të gjitha konfliktet e armatosura përfundojnë në një mënyrë ose në një tjetër me disa negociata në rrugën diplomatike. Dhe ne kurrë nuk kemi refuzuar". 

 Putin akuzoi qeverinë ukrainase se "e ka ndaluar veten të negociojë".

Presidenti rus tha gjithashtu se Rusia do të gjejë "një kundërhelm" për raketat Patriot.

"Sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot që SHBA po përgatitet t'i furnizojë Ukrainës "është një sistem i vjetër, nuk funksionon aq mirë sa S-300 (raketat) dhe ne gjithmonë do të gjejmë një kundërhelm", tha presidenti rus Vladimir Putin, duke komentuar vendimin amerikan për të furnizuar Kievin me raketa tokë-ajër Patriot.