Stuhitë e forta të borës prishin planet e miliona amerikanëve për udhëtimet e Krishtlindjeve

Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi amerikanët sot se stuhitë "të rrezikshme dhe kërcënuese" priten në disa zona të vendit në 48 orët e ardhshme, duke këshilluar ata që planifikojnë të udhëtojnë për të vizituar të afërmit dhe miqtë që të largohen menjëherë.

"Këto janë stuhi të rrezikshme dhe kërcënuese, vërtet të rënda nga Oklahoma në Ëyoming dhe Maine... Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve që t'i marrin seriozisht paralajmërimet lokale", tha Presidenti Biden.

“Nëse keni ndërmend të udhëtoni, largohuni tani! Nuk është shaka!”, theksoi ai dhe shtoi se u dha leje anëtarëve të stafit të Shtëpisë së Bardhë që të niseshin më herët për në destinacionet e tyre të Krishtlindjeve.

Vala e motit të ashpër pritet të sjellë stuhi në rajonin e Liqeneve të Mëdha, shi i ndjekur nga temperatura ngrirëse në Bregun Lindor, erëra 100 km/h dhe ftohtësi e ashpër edhe në jug deri në kufirin me Meksikën.

Mërkuri në disa zona mund të bjerë deri në 15 gradë nën normalen e sezonit, paralajmërojnë sinoptikanët.

Gati 2000 fluturime të planifikuara për 48 orët e ardhshme janë anuluar, duke përfshirë 700 për në Çikago.

Qindra fluturime u anuluan gjithashtu në Denver.

Autoritetet në Ohio dhe Tennessee paralajmëruan drejtuesit e mjeteve se rrugët e lagështa pritet të kthehen në shesh patinazhi me akull për shkak të rënies së mprehtë të temperaturave.

Karolina e Veriut, Kentaki dhe Georgia kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Ne po presim mot që nuk e kemi parë në të paktën një dekadë”, tha Guvernatori i Georgias.

Edhe pse ai planifikon t'i kalojë Krishtlindjet në Uashington, Presidenti i SHBA Joe Biden ka kërkuar përditësime të rregullta si nga Shërbimi Kombëtar i Motit ashtu edhe nga FEMA (Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave).