Dy javë në barrikada, sot protesta e radhës nga serbët për deklaratat e Kurtit

Prej afro dy javësh Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi dhe vijon të jetë i bllokuar për shkak të barrikadave të vendosura nga ekstremistët serbë.

Ndërkaq, i ashtuquajturi Shtabi i Krizës i formuar nga serbët lokalë ka njoftuar zhvillimin e një proteste që do të mbahet sot në Rudare të Komunës së Zveçanit.

Ata kanë njoftuar se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e kryeministrit të Kosovës që i konsiderojnë si kërcënim. Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet.

Sipas mediave në Kosovë, në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj.

Kjo protestë zhvillohet pasi Albin Kurti gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare u shpreh se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat. Për këtë reagoi dhe ambasadori gjerman në Prishtinë duke kërkuar largimin e barrikadave deri në Krishtlindje dhe e cilësoi absurd kërkesën e Beogradit për futjen e trupave serbe në Kosovë.