Publikohet VIDEO, momenti kur kryebashkiaku i Stambollit njihet me dënimin nga gjykata

Është bërë publike një video ku kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, njoftohet për dënimin e tij nga gjykata turke.

Imamoglu u dënua me 2 vjet e 7 muaj burg për fyerje të funksionarëve publikë.

Në të njëjtën kohë, gjykata vendosi edhe heqjen e të drejtave politike për kryebashkiakun e Stambollit dhe një nga kundërshtarët kryesorë politikë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Dialogu i Imamoglu me partneren e tij, sipas SKAI:

Partneri: 2 vjet 7 muaj 15 ditë.

Imamoglu: A e ka shpallur?

Partneri: Sigurisht.

Në videon ku Imamoglu mësoi për vendimin, duket se në sallë ndodhet edhe kryetarja e “Partisë së Mirë”, Meral Aksener.

“Një grusht njerëzish nuk mund ta marrin pushtetin e dhënë nga populli. Lufta jonë fillon më e fortë, me lejen e Allahut”, dëgjohet duke thënë Imamoglu.

Kryebashkiaku 52-vjeçar i Stambollit është nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe shihet si një kandidat i mundshëm në zgjedhjet presidenciale të qershorit kundër Rexhep Tajip Erdogan.

Akuza lidhej me deklaratat që ai kishte bërë në vitin 2019, kur i quajti “idiotë” ministrin e Brendshëm Suleiman Soylou dhe anëtarët e Komisionit Zgjedhor, i cili anuloi rezultatin e zgjedhjeve komunale të marsit të atij viti.

Mijëra demonstrues në Stamboll në favor të Imamoglut

Në të njëjtën kohë, vala e mbështetjes për Ekrem Imamoglu po rezulton e fortë pasi të enjten (15/12) mijëra njerëz dolën në rrugë për të dënuar praktikat e Tayyip Erdoğan, ndërsa liderët e opozitës u bashkuan me kryebashkiakun nga pjesëmarrja në mitingje dhe ankesa për “tirani”.

"Ata i fshinë votat tuaja," i tha Imamoglu turmës që ishte mbledhur para bashkisë, duke u përballur me shiun.

“Ky nuk është gjyqi im, por gjyqi i drejtësisë dhe i paanësisë”, këmbënguli ai, duke siguruar se “nuk kishte aspak frikë nga ky vendim i paligjshëm”.