Puna e italianëve në “Katar Gate”
Një pjesë e rëndësishme e dosjes hetimore të skandalit korruptiv të Katar-gate, që ka përfshirë një nga figurat më të larta të Bashkimit Europian, nën kryetaren e PE, Eva Kaili (e shkarkuar), qaset nën identifikimin e një afere të quajtur "italian job", pasi një pjesë e mirë e personave të përfshirë në të janë italianë e të lidhur me politikën e së majtës italiane.
Italianët e përfshirë në këtë skandal janë ish europarlamentari i Partisë Demokratike Antonio Panzeri e ish asistenti i tij Francesco Giorgi i cili është dhe partneri i Eva Kaili me të cilën ka dhe një vajzë, eurodeputeti i PD Andrea Cozzolino, eurodeputetja e PD Alessandra Moreti e Maria Arena.
Këta tre të fundit nuk rezultojnë të jenë në listën e personave të vënë nën hetim, por janë emra mbi të cilët prokurorët belgë kanë shtrirë hetimet e tyre.
Mbi këtë euroskandal po heton dhe Prokuroria e Milanos e cila ka kontrolluar banesat në rajonin e Lombardisë (Milano e Bergamo) të ish europarlamentarit të arrestuar Antonio Panzeri, ku janë sekuestruar instrumente informatikë, kompjuter, dokumente e rreth 17 mijë euro cash. Po hetohen gjithashtu dhe llogaritë e tij bankare e janë vënë nën arrest shtëpiak bashkëshortja e vajza e tij nën një urdhër arrestimi europian lëshuar nga Prokuroria belge. Ndërsa në banesën e Antonio Panzerit në Bruksel autoritetet policore belge kanë gjetur 600 mijë euro cash.
Partneri italian i Eva Kaili, Francesco Giorgi, i vënë nën arrest me burg para prokurorëve belgë ka rrëfyer duke pranuar fajësinë si pjesë e një organizimi i përdorur nga Qatar e Maroku, për të ndërhyrë e kushtëzuar cështje europiane.
Kundrejt ryshfeteve e korrupsionit të eurodeputetëve këto dy shtete kanë influencuar për të limituar e larguar akuzat ndaj tyre në cështje të të drejtave civile, njerëzore e të punonjësve.
Në informacionet e orëve të fundit, zbardhet se kanë qënë pikërisht Emiratet e Bashkuara që kanë sinjalizuar Prokurorinë belge mbi këtë skandal korruptiv e që coi në hetimin me përfshirjen e 5 vendeve.
Në rrëfimin e tij, italiani Francesco Giorgi ka deklaruar se partnerja e tij ish zëvendës Kryetarja e PE, Eva Kaili, nuk ka qënë e përfshirë në këtë organizim. "Ajo, është shprehur ai, ka zbuluar paratë e fshehura në banesë ditën e arrestimit e ka kërkuar shpjegime si dhe largimin e tyre nga shtëpia. Për këtë qëllim, thotë Giorgi, është thirrur babai i saj për të hequr nga banesa paratë për të cilat ajo nuk dinte nga vinin".
Francesco Giorgi ka pranuar se ka identifikuar organizatat joqeveritare Fight Impunity e No Peace Without Justice, si të mundshme për të xhiruar paratë
Francesco Giorgi, ka rrëfyer para prokurorëve belgë se ishte ai që menaxhonte paratë nga Qatar e Maroku e ka kërkuar lirimin nga burgu të parnteres së tij Eva Kaili.
Seanca gjyqësore për ish nënkryetaren e Parlamentit Europian është vendosur të mbahet më 22 dhjetor.