Shinasi Rama i thotë të gjitha për Veriun: Vuçiç e di, Perëndimi nuk pranon një aeroplanmbajtëse putiniste mes Ballkanit

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.

Shinasi Rama, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në SHBA, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma i sheh të gjitha këto pretekste të Serbisë për të drejtuar lojën e saj politike sëbashku me Rusinë drejt rezolutës 1244, e cila shmang pavarësinë dhe institucionet e Kosovës.

Kurti  sipas tij është duke ndjekur precedentin e Thaçit dhe është duke vepruar me mend sepse duhet që Serbia do të bëjë shumë zhurmë por në fund do të tërhiqet.

Sa i takon qëndrimit të Tiranës zyrtare, ai thotë se reagimi i Ramës ishte sa për të larë gojën dhe nënvizon se Prishtinës asnjë e mirë nuk i vjen nga Tirana dhe kjo sipas tij është kuptuar.

Ndërkohë Vuçiç, thotë Rama, e ka të qartë se askush nga Perëndimi dhe NATO nuk do të pranojë një aeroplanmbajtëse putiniste në mes të Ballkanit.


Intervista e plotë për Rtv Ora

 

Shinasi Rama i thotë të gjitha për Veriun: Vuçiç e
Shinasi Rama

 

Ajo që po ndodh tani në Kosovë mund të përmblidhet në tre pika. Së pari sjellja e serbëve kushtëzohet shumë nga situata ndërkombëtare, ka filluar Lufta e Tretë Botërore. Ata e dinë se Perëndimi i sheh si aeroplanmbajtëse tokësore në mes të Ballkanit. Së dyti ata e dinë që e vetmja zgjidhje që kanë për të ruajtur integritetin e shtetit siç e mendojnë ata dhe për të mos shkuar në luftë direkte do të jetë duke ngritur probleme të tilla që janë artificiale por që ngrihen qëllimisht sepse duke e lartësuar një problem në dukje dytësor ata krijojnë një pengesë për bashkësinë ndërkombëtare në çdo marrëveshje, debat dhe diskutim që bëhet. Së pari duhen pastruar këto problematika që kanë dalë.E treta, përpjekja serbe vazhdon ajo që ne na e kanë thënë negociatorët e tyre gjithmonë,  parrulla e tyre nuk ka ndryshuar. Ne na u deshën 600 vjet për të marrë Kosovën dhe do na duhen dhe 600 vjet të tjera për ta marrë prapë. Këtë ma ka thënë djali i Gjilasit në një bisedë që kemi pasur aso kohe. Problemi i veriut të Kosovës duhet parë në këto tre këndvështrime të ndryshme. Më i rëndësishëm për ne është këndvështrimi i tretë, sepse duke krijuar lëkurën e leopardit dhe duke bërë bashkë katër komunat me shumicë serbe ata po kërkojnë jo vetëm me përsërit eksperimentin e Republika Srpska por po kërkojnë me kriju një precedent që do të jetë një pararojë e fuqishme në përplasjen e mundshme, të pashmangshme që do të vijë në Ballkan.

A bëri keq Kosova që shpalli zgjedhje të parakohshme në veri edhe pse SHBA-BE ishin kundër?

Është një thikë me dy presa. Ai ka një axhendë të caktuar se duhet me mbajt bashkë elektoratin e caktuar. Ka shtysa dhe nga të huajt. Në Kosovë nuk është vetëm Albin Kurti që vendos por është dhe presidentja, e cila i shtyu këto zgjedhje të parakohshme për në prill. Por të gjitha këto janë pretekste që dalin në rrugë dhe fryhen sikur janë problemet e vërteta. Problemi i vërtetë real është në thelb mospajtueshmëria e Serbisë me ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës dhe çdo lëvizje që bën qeveria e Kosovës do të konsiderohet si një minim i përjekjeve serbe për me e rikthy Kosovën në sovranitetin e vet. Shkëndija ishte arrestimi i Pantiçit, një ish-polic i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Duhet të kuptojmë se boshti serborus Moskë-Beograd po kërkon me çdo kusht me e kthy debatin dhe lojën politike në shinat në të cilat ka qenë deri në vitin 1998 dhe loja politike deri në atë vit ka qenë e kushtëzuar nga rezoluta 1244, e cila lë shumë hapësira boshe dhe mundësi për serbët dhe shumicën shqiptare. Me fitimin e pavarësisë dhe shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës rezoluta 1244 jo vetëm është tejkaluar por është bërë krejtësisht e pavlefshme. Të gjitha argumentat e serbëve dhe pronarëve të tyre rusë janë që çdo gjë duhet të kalojë dhe njëherë te rezoluta 1244. Edhe kërkesa për kthimin e 1000 trupave është e lidhur me rezolutën 1244. Të gjitha janë lëvizje që merren në kontekstin e përplasjes shqiptaro-serbe por thelbi logjik i gjithë lojës është përpjekja serbe me e kthy lojën me rezolutën 1244, me e shmang pavarësinë dhe institucionet e Kosovës. Kjo ka krijuar një situatë tymnaje në politikën ndërkombëtare dhe qarqet politike shqiptare, edhe serbe, edhe europiane. Një përpjekje e tillë vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës vetë. A është realiste përdorimi i rezolutës 1244? Nuk është sepse është tejklaluar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, vendimin e gjykatës së Hagës etj. Mirëpo Kushtetuta e Kosovës ashtu siç u negociua nga Ahtisari është një krijesë që e lë Kosovën pa një gram sovraniteti. Kosova është thjesht një protektorat ndërkombëtar, një shtet i pavarur por që në thelb menaxhohet nga institucionet ndërkombëtare. Ky është një problem që serbët po kërkojnë me e orientu dhe drejtu në rrugën e tyre, me minu të gjithë elementët e sovranitetit dhe fuqinë institucionale që kanë institucionet në Kosovë. Qeveria Kurti sipas meje edhe ka bërë mirë, edhe ka bërë keq, por nga ana tjetër është e pamundur që ti shmanget kësaj përplasje me Serbinë.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje trupave të KFOR të largojnë barrikadat nga veriu. A është gabim të konsiderosh KFOR-in si përgjegjëse për sigurinë në veri të vendit. Kujtojmë që Kurti në opozitë ka pasur një qëndrim tjetër për këtë çështje.

Ne në politikë themi se njeriu kur e sheh veten në makinë i urren këmbësorët që i presin rrugën, por kur është këmbësor vetë i urren njerëzit që janë shofera. Tani Kurti nuk është më me luksin e opozitës dhe sjellja e tij duhet të diktohet nga interesi jetik i Kosovës. Në Kosovë, pavarësisht se është shtet i pavarur, realisht pushtetin juridik dhe politik e kontrollon EULEX, aq sa kemi gjykatat jashtë Kosovës dhe udhëheqësit e shtetit të Kosovës janë nëpër burgje në Hagë. Pushtetin ushtarak dhe strategjik e kontrollon NATO dhe KFOR. Kurti është duke ndjekur precedentin e Thaçit dhe është duke vepruar me mend sepse duhet që Serbia do të bëjë shumë zhurmë por në fund do të tërhiqet. Është një tymnajë që do përdoret për negociimin e kushteve me Brukselin. Do të ndëryjë Borrell me shqiptarët, Lajçak me serbët dhe do të ketë një seri ecejakesh që në fund do ta lënë situatën aty ku është.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama. I lehtëson pozitat e Serbisë në raport me atë që ka bërë dhe po bën në Kosovë?

Edi Rama pavarësisht të gjithë poshtërsive dhe maskarallëqeve të tij, është një politikan shumë i zgjuar. Me këtë deklaratë po vë në dukje atë që dihet që ka me ndodh por duke mos ndjekur dy pikat kryesore që duhet të ishin një pikë e fortë personale dhe një pikë shumë e fortë e lidhjes së shtetit shqiptar me Kosovën. Nga një anë nuk po ushtron ndikimin e vet as përmes pronarit të përbashkët që ai ka me Vuçiç, as lidhjet personale me ndiku në sjelljen e Beogradit. Rama po ndjek me konseguencë politikën e Tiranës  zyrtare që kërkon me çdo kusht, me çdo mjet kthimin e një qendre të pavarur vendimmarrëse kombëtare në Kosovë. Paria sunduese e Tiranës në mënyrë konseguente nga 1922 e më pas ka ndjekur këtë linjë që synon me çdo kusht thyerjen e çdo qendre tjetër politike që nuk kontrollohet prej tyre. Pavarësisht sjelljes prej karagjozi Rama vazhdon të njëjtën politikë kundër shqiptarëve. Nuk thotë asgjë, është thjesht një shpërlarje goje. A çoi ndihma, a ngriti zërin, a bëri telefonata, a akuzoi publikisht? Facebooku dhe Twitteri janë me çliru tensionet. Asgjë nuk ka me ndodh. Asnjë të mirë nuk ka nga Tirana Prishtina. Shqiptarët e Kosovës dhe të veriut kanë nisur të kuptojnë se e vetmja rrugë që kanë me e gjet vetëveten dhe me qenë shqiptarë të mirë është me i kushtu vëmendjen maksimale shtetit të tyre të Kosovës dhe idesë etnike që ka qenë dhe mbetet thelbi i identitetit tonë si shqiptarë të veriut.

Vuçiç po sfidon Kosovën dhe Perëndimin me qëndrimet dhe veprimet e tij. A po krijojnë vonesat dhe mënyrat si po e trajton BE Serbinë një tjetër zonë të nxehtë në Ballkan?

BE përbëhet nga shtete që kanë qenë perandori, kanë dhënë e kanë marrë me popuj nga gjithë bota. Teknikat që përdorin me kontrollu sjelljen e popujve të veçantë janë pak a shumë të ditura. Problemi i Vuçiç është se është i kapur nga tre forca që nuk i shmang dot. Marrëdhënia e tij me Rusinë që është jetike për Serbinë nëse do me arrit interesin e vet kombëtar ashtu siç e mendojnë ata. Së dyti janë forcat e errëta dhe ekstremiste që për fat të keq përbëjnë shumicën e popullit serb dhe kanë një urrejtje gjenetike ndaj kombit shqiptar. Së treti, Vuçiç e kupton se ngado që të dojë me e drejtu lojën, loja do të vijë në një pikë që ai duhet të përballet si me Perëndimin ashtu dhe NATO-n sepse nuk mundet kush me pranu një aeroplanmbajtëse sovjetike në mes të Ballkanit. Në këtë rast Putiniste mes Ballkanit.

Ekziston mundësia që Kosova të dorëzojë një kërkesë për anëtarësimin në BE, por kemi parë sot deklaratën e Daçiç që tha se ne po punojmë që vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën të kontestojnë kandidaturën e shpallur të Prishtinës për anëtarësimin në BE.

Kjo që po bën Daçiç është njësoj si kur ishim të vegjel që kapeshim pas një rimorkio dhe ecte 10 km pas saj. Ajo që dihet është se shtete që nuk e njohin Kosovën, janë 5, nuk do të pranojnë kurrë kërkesën e Kurtit. Kjo që po bën Kurti është një blof politik me i tregu elektoratit të vet që unë po përpiqem me marrë njohjen europiane. Por fuqinë e vërtet në Kosovë e ka EULEX. Kurti ka pushtet me menaxhu plehrat, me u marr me arsimin, me drejtësinë, por në realitet çështje të sovranitetit i vendosin EULEX dhe KFOR. Me i kërku anëtarësim BE kur ti je protektorat politik dhe juridik i Europës është absurde. Kurse Daçiç po përfiton nga situata, është diplomat i zgjuar, e kupton shumë mirë se nuk ka shans që kjo të ndodhë dhe luan një lojë të dyfishtë. Një anë me publikun e vet, një anë me të huajt. Ai e di që kurdo që të shkojë kjo kërkesë askush nuk do ta aprovojë. Ndërsa popullit të vet kur të vijë rezultati u thotë: A ju pata thënë që unë do ta bëj këtë? Është një lojë logjike nga Daçiç, me nxjerr blof, blofin e Kurtit.

Në skandalin korruptiv që ka përfshirë Parlamentin Europian ka sinjale se mund të jetë e përfshirë dhe Federica Mogherini, ish-ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi. Mund të jetë një formë lobimi dhe ky qëndrim kaq i butë i Europës ndaj Serbisë nga pjesë të caktuara të bashkësisë europiane?

Europa nuk është e bashkuar në shumë gjëra. Kur duhet me marrë në telefon për politikat e jashtme nuk merret Brukseli por thirren Parisi, Uashingtoni, Roma, Madridi, Varshava.Në Europë nuk ka një politikë të përcaktuar në këtë drejtim, a ka qenë e përshirë Mogherini nuk mund ta them. Po flitet që mund të japë dorëheqje. Në Europë rrallë ndodhin gjëra që nuk janë të kordinuara dhe në të cilat qendra të caktuara që historikisht i kanë mbështetur serbët dhe që sot janë pjesë e boshtit jetik të Europës nuk do të kërkojnë me të gjitha mënyrat dhe të gjithë metodat për arsye politike, ekonomike, fetare, ushtarake me e nxjerr problemin shqiptar në interes të Serbisë dhe me punu kundër nesh. Është logjike, e kemi ditur gjithmonë, na e kanë thënë haptas. Nuk ka shans që shqiptarët të kenë mbështetje nga të gjithë europianët. Mund të kemi mbështetje në pika të caktuara nga një bosht Berlin-Romë, por në vendet e tjera do të kemi gjithmonë pikëpyetje të mëdha.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.