Zyrtari amerikan anulon vizitën në Kosovë pak orë para zbritjes në Prishtinë
Në mes të situatës tepër të tensionuar në veri të Kosovës, vizita e Derek Çollet shihej si kyçe për gjetjen e një marrëveshjeje. Këshilltari i Lartë i Departamentit të Shtetit lajmëroi vetëm disa orë përpara se të mbërrinte në Prishtinë se nuk mund të vinte dot në Kosovë për arsye familjare.
Vizita e shumëpritur e këshilltarit të Lartë të DASH, Derek Chollet në Kosovë u anulua papritur.
Në një njoftim, Qeveria e Kosovës bëri me dije se kryeministri Kurti do të takonte vetëm të dërguarin e Uashingtonit, Gabriel Escobar pasditen e së hënës, i cili shoqëronte delegacionin e Chollet.
Mediet mësuan se mosardhja e zotit Chollet në Kosovë lidhet me arsye familjare të tij.
Nuk është e qartë nëse Chollet do të realizojë pjesën tjetër të vizitave në rajonin e Ballkanit dhe në Bruksel, ashtu siç ishte paralajmëruar nga Departamenti amerikan i Shtetit javën e kaluar.
Vizita e këshilltarit të lartë të DASH do të vinte në një kohë kur situata në veri të Kosovës është tepër e tensionuar.
