Escobar në Prishtinë, Kremlini krah Beogradit
Ka zbritur në Prishtinë këtë të hënë zyrtari amerikan Escobar. Diplomati tjetër amerikan Chollet doli pozitiv me Covid ndaj anuloi udhëtimin. Situata në veri është më e qetë, ndërsa Beogradit i ka dal në krah Kremlini duke artikuluar njësoj rrezikun për serbët në veri.
E hëna ka nisur me takime të rëndësishme dhe deklarata intensive nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë për situatën në veri të Kosovës.
Situata e nxehtë në veri, si pasojë e nxitjes së grupeve kriminale nga ana e Beogardit zyratar, ka sjellë në Prishtinë dhe Beograd zyrtarët më të lartë evropianë dhe amerikanë për të qetësuar gjendjen.
Ndërkohë që në një deklaratë të përbashkët, amerikanët dhe evropianët, kërkojnë që të hiqen menjëherë barrikadat e vendosura në veri, Kremlini zyrtar tërheq vëmendjen te të drejtat e serbëve në veri, deklaratë e bërë më herët edhe nga Beogradi për të legjitimuar dhunën në Kosovë.
Situata përshkallëzoi kur policia arrestoi ish-policin Dejan Pantiqin për sulmet në veri që u bënë ndaj zyrtarëve, zyrave dhe policisë së Kosovës.
Pantiqi dyshohet për vepra penale me natyrë terroriste, ndërsa është dënuar me një muaj paraburgim. Ka dhe persona të tjerë të arrestuar për vepra të ndryshme të kryera në veri që cënojnë sigurinë publike të shqiptarëve dhe serbëve.
Nga Prishtina, vetë zyrtari amerikan Escobar kërkoi heqjen e menjëhershme të barrikadave dhe adresimin e problemeve në dialogun e Brukselit. Edhe kryediplomati evropian Borrell ka dënuar dhunën dhe ka kërkuar qetësimin e situatës. Zyrtari i lartë amerikan Chollet anuloi vizitën e tij se rezultoi pozitiv me Covid.
Ndërkohë, Vuçiç në Serbi mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe ka njoftuar se kërkon të dërgojë 1000 trupa në Kosovë. Kjo do të ishte shpallje lufte, sepse 1000 trupa në veri, skenar i ngjashëm i Moskës ndaj Ukrainës, cënojnë integritetin territorial të Kosovës.

