Tensionet në veri të Kosovës, Lajçak viziton Prishtinën dhe Beogradin më 14 dhjetor
Nga OraNews Përditësimi i fundit 12 Dhjetor 2022, 19:14
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, më 14 dhjetor do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Sipas tij, BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Borrell ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Sipas njoftimit, të gjithë ata janë pajtuar se duhet “të merren hapa për uljen e tensioneve”.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.
