Vuçiç kërkon asociacionin: Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv
Aleksandër Vuçiç i ka kërkuar Lajçakut formimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Takimi mes liderit serb dhe emisarit të BE-së vjen pas gjuhës së ashpër të përdorur nga Vuçiç kundër Albin Kurtit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka kërkuar formimin asociacionin e komunave me shumicë serbe në takimin që zhvilloi me të dërguarin e Posaçëm i BE-së për dialogun me Prishtinën, Mirosllav Lajçak.
Vuçiç shkroi në Instagram se diskutoi me zotin Lajçak për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjoja problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës.
"E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira për jetën e të gjithëve qytetarëve," tha ai.
Lajçak erdhi në Beograd pasi Serbia kritikoi javën e shkuar vendimin e kryeministrit Kurti për të emëruar kreun e Partisë Demokratike Progresive, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Beogradi e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiç nuk përfaqëson serbët e Kosovës.
Pozita në të cilën është emëruar Rashiç, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, kreu i Srpska Lista i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.
Më 1 dhjetor, Vuçiç, e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian