"Presim shumë nga Shqipëria", Osmani: Respektojmë vendimin e saj për Open Balkan, ta respektojë dhe ajo
Në mbyllje të Samitit në Tiranë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani qartësoi edhe njëherë dallimet mes Shqipërisë dhe Kosovës për Open Balkan, duke deklaruar se respektojnë vendimin e Ramës për të qenë pjesë e tij dhe kërkoi që dhe ai të respektojë vendimin e Kosovës për të qëndruar jashtë.
Presidentja tha se Kosova dhe udhëheqësit e saj presin shumë nga Shqipëria.
Osmani: Çfarë mund të bëjmë më shumë është të flasim më shumë në mënyrë që nëse ka dallime të tejkalohen. Përtej raporteve vëllazërore, unë i kam quajtur mes motrash se janë shumë më të sinqerta raportet, është e rëndësishme të theksoj se Kosova llogarit në Shqipëri, ne llogarisim shumë në Shqipëri, nëse nuk llogarisim te ju në kë atëherë. Pritja jonë është të kemi sa më shumë kordinim, diskutime dhe përafrim. Ndërkohë duhet të kuptojmë që dhe ndërmjet motrave, ndërmjet vëllezërve mund të ketë dallime dhe e tillë ka qenë vazhdimisht çështja e Open Balkan. Ne jemi pajtuar me parimin e miqve amerikanë, pajtohemi që nuk pajtohemi. Ne si Kosovë kemi vlerësuar gjatë dhe kemi vendosur që nuk është në interes të Kosovës të jetë në këtë iniciativë por të jemi në procesin e Berlinit nga i cili tashmë ka shumë rezultate. Por respektojmë vendimin e Shqipërisë që të jetë dhe presim të respektojë vendimin tonë që mos të jemi.
Osmani evitoi komentet për marrëdhëniet ndërpersonale me Ramën, duke u fokusuar te marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në këtë aspekt tha se është bërë punë.
Por kërkoi më shumë angazhim të Shqipërisë sa i përket anëtarësimit në Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe qasjes ndaj shteteve që nuk na kanë njohur.
Osmani: Sa i përket raporteve ndërpersonale ato asnjëherë nuk do duhet të ishin tema. Tema e vërtetë duhet të jenë raportet ndërshtetërore dhe mendoj se gjatë këtyre dy viteve aty ka përmirësim esencial i cili në fund prek jetën e qytetarëve tanë, janë larguar një sërë barrierash. Puna ime si presidente, udhëheqëse e politikës së jashtme, ka qenë që sidomos në politikën e jashtëme të ketë dakordësi sa i përket anëtarësimit në Kosovës në organizatat ndërkombëtare, qasjes ndaj shteteve që nuk na kanë njohur. Këtu kemi shumë nevojë për ndihmën e Shqipërisë. Sa më shumë bëjmë përpjekje që tejkalojmë vetëveten po që ka në qendër vetëm interesin e shteteve tona dhe kombit tonë, aq më shumë do kemi rezultate sa i përket avancimit të interesave tona të përbashkëta.

