Hetimet për vrasjen e gruas shtatzënë, pezullohen katër policë
Katër zyrtarë të policisë së Kosovës u pezulluan nga detyra për shkak të ngjarjes së rëndë të vrasjes së gruas shtatzënë nga bashkëshorti në maternitetin e Prishtinës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Zvelça, tha se punonjësit kanë shkelur ligjin në zbatimin e urdhërit të mbrojtjes që gjykata kishte lëshuar për 35-vjeçaren. Ndërkohë mediat kanë publikuar edhe një letër që autori kishte lënë në banesë para se të vetëvritej.
Katër zyrtarë të policisë së Kosovës janë pezulluar nga detyra për shkak të shkeljeve të konstatuara në zbatimin e urdhrit të mbrojtjes të lëshuar për Hamide Magashin, gruan shtatzënë që u vra nga bashkëshorti i saj më 30 nëntor.
Ministri i Brendshëm Xhelal Zvelça, tha se zyrtarët e pezulluar do të kallëzohen për ndjekje penale në prokurori për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, është shprehur se vrasja e Magashit ishte si “pasojë e papërgjegjësisë institucionale”.
Mediat në Kosovë, kanë publikuar një letër që sipas tyre, autori Sokol Halili, e ka lënë në momentin që ishte kthyer në shtëpinë e tij, ndërsa policia e kërkonte për vrasjen e 35-vjeçares Hamide Magashi.
Në letër ai shkruan se ka qenë i vetëdijshëm për krimin dhe e ka kryer vrasjen pasi nuk ka qenë dakord me planin që ish-gruaja kishte bërë për fëmijën pasi kishte mbetur shtatzënë.
“Më ke marrë në qafë kështu dhe unë nuk kam fëmijë për të shitur”, shkruante autori në letrën e publikuar nga mediat në Kosovë.
Viktima Hamide Magashi, u vra nga bashkëshorti i saj, pranë ndërtesës së Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, ku ajo ishte shtruar në pritje të lindjes së fëmijës.
Gjykata në Ferizaj kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gruan prej datës 13 shtator 2022 deri më 13 mars 2023.
Në 23 shtator 2022, e njëjta gjykatë kishte shpallur të pandehurin, Sokol Halili, fajtor për veprën penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve duke e dënuar me gjobë.
Më 2 dhjetor, autori i krimit Sokol Halili kreu vetëvrasje pas dy ditësh qëndrimi në arrati.
Policia e Kosovës tha se ai refuzoi negociatat për vetëdorëzim në fshatin Davidovc të Komunës së Shtimes.
Gjatë ndërhyrjes policia tha se ka arritur që të largojë anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me forcat e rendit dhe ka qëlluar veten me revole.
Viktimës Hamide Magashi iu dha lamtumira e fundit mes lotësh e pikëllimi më 2 dhjetor në Lipjan.
