Lajçak cakton afat deri në 2024 për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Pati shenja për konflikt serioz

I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi thotë se shpreson që në rreth 1 vit dy vendet të arrijnë një marrëveshje finale. Ndërsa komentoi situatën e krijuar në lidhje me targat, Lajçak tha se pati indicie serioze se palët mund të përplaseshin me armë.

I dërguari i Posaçëm për dialogun Mirosllav Lajçak ka thënë se shpreson që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet në fillim të vitit 2024.

Emisari evropian tha se shpreson që pranvera e ardhshme të përkojë me një marrëveshje paraprake që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së targave.

Zoti Lajçak tha se për çështjen e targave mund të kishte konflikt serioz.

"Ndërsa iu afroheshim afateve të qeverisë së Kosovës për targat në muajt e fundit, ne kemi parë shenja të përgatitjeve për konflikt serioz. E kemi bërë të qartë se kjo është e papranueshme," tha ai.

I pyetur nga mediet kosovare për çështjen e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, diplomati sllovak tha se BE-ja e kishte këtë çështje por edhe asociacionin e komunave serbe si prioritet të tyre.

"Kjo çështje është shumë e lart në agjendën tonë. Sepse tani realiteti është se kemi një boshllëk për sa i përket sigurisë në veri të Kosovës. Kemi 600 policë që kanë dhënë dorëheqje dhe kanë mbetur 50. Njerëzit kanë nevojat e tyre duan të zgjidhin problemet, por nuk ka staf nëpër gjykata," tha ai.

Në lidhje me institucionet e braktisura nga serbët, Lajçak tha se do të vinte së shpejti për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidenti Vuçiç.