Samiti i BE-së në Tiranë, firmoset marrëveshja e Roaming, ulen tarifat e internetit
Në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, që u mbajt këtë të martë në Tiranë u firmos marrëveshja e Roaming, që parashikon uljen e tarifave të telefonisë celulare midis qytetarëve të BE-së dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja parashikon uljen e tarifave të roaming për telefonatat midis BE-së dhe Ballkanit, duke filluar nga tetori 2023.
Mëngjesin e kësaj të marte, 6 dhjetor, Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor, nisi me nënshkrimin në Tiranë të marrëveshjes së tarifave roaming, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Kjo marrëveshje parashikon tarifa më të ulëta për internetin për qytetarët e Ballkanit në vendet e unionit.
Marrëveshja parashikon që nga tetori i vitit të ardhshëm, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të mund të komunikojnë më lirë nëpërmjet kompanive telefonike edhe në vendet e Bashkimit Europian.
Më konkretisht, pas kësaj marrëveshjeje pritet që të ketë një angazhim të operatorëve telefonikë, që kostot e roaming të pësojnë një ulje më të madhe midis viteve 2023 dhe 2027.
Liderët e kontinentit të vjetër janë dakordësuar për të lehtësuar tarifat nga viti i ardhshëm, me perspektivën që në një të ardhme të afërt të shkojnë drejt “roaming free”.
Kjo marrëveshje u firmos para nisjes së seancës plenare të Samitit.
"Tarifat që kanë qenë mjaft të larta nisin të ulen gradualisht me objektivin që të shuhen ku u thuhet që do paguash sa është në vendin tënd" tha Milena Harito në një intervistë për Ora News.Ish ministrja e qeverisë "Rama 1" sot ishte si përfaqësuese e një nga grupet më të mëdhaja të telekomunikacionit europian që firmosi marrëveshjen
Tjetër fushë ku Bashkimi Europian po angazhohet është ndalimi i rrjedhjes së trurit nga Ballkani Perëndimor dhe krijimi i mundësive ekonomike, për të rinjtë e kualifikuar që ata të qëndrojnë të jetojnë në rajon.
Në Samit është përfshirë dhe iniciativa për Universitetet e Hapura, program, që bën të mundur asocimin e studentëve nga rajoni në inisiativën e Universiteteve Europiane, ashtu si dhe programi “Erasmus plus”, që mundëson integrimin e studentëve të Ballkanit Perëndimor, në programet e BE-së.

