Kosova falënderon SHBA për angazhimin në marrëveshjen për targat
Kosova ka zgjedhur të falënderojë vetëm Shtetet e Bashkuara për arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me targat në Bruksel, Departamenti i Shtetit e përshëndeti kompromisin duke e quajtur një hap të madh drejt paqes dhe stabilitetit.
Shtetet e Bashkuara e mirëpritën marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Zëdhënësi i DASH, Ned Price tha se e përgëzonte marrëveshjen dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në tërësi.
Ata e quajtën marrëveshjen e së mërkurës një hap galopant.
"Ne mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin," tha Price.
Të mërkurën në Bruksel u mbajt takimi në nivel kryenegociatorësh mes zv/kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit serb Petar Petkoviç.
Në një reagim, presidentja Vjosa Osmani nuk e përmendi fare Bashkimin Evropian si faktor në arritjen e marrëveshjes.
"Dua të falënderoj Ambasadën amerikane në Kosovë dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse," tha Osmani.
Reagimi i zonjës Osmani përputhet me deklaratat e kryeministrit Kurti të 21 nëntorit, i cili tha se mbështetej vetëm te Shtetet e Bashkuara për dialogun edhe pse ai ndërmjetësohet nga BE që prej vitit 2011.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borell në lidhje me takimin e së mërkurës njoftoi kompromisin mes dy palëve.
Sinkron Borrell: Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejshme të lidhura me ri-regjistrimin e makinave, ndërsa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emrat e qyteteve të Kosovës.
Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
