“Targat janë shkas”, Rambaja: Projekti gjermano-francez, mundëson ecjen e Serbisë dhe Kosovës drejt BE
Sadri Rambaja profesor për Marrëdhëniet ndërkombëtare në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth marrëdhënies së tanishme mes Kosovës dhe Serbisë, stadit në të cilin gjendet dialogu dhe ndikimit të përfaqësuesve ndërkombëtar.
Gazetarja: Në këtë fazë Kurti po i cilëson bisedimet me Vuçiç teknike, pse i konsideron të tilla?
Sadri Rambaja: Dialogu ka hyrë në një fazë tjetër. Po diskutohet me parametra të rinj për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Prej 18 gushtit është ristrukturuar e pretendohet të mbyllet më shpejt. Insistimi i palës shqiptare është që dialogu të merret me marrëdhëniet mes Sebisë e Kosovës dhe të përmbyllet njëri ndër kapitujt që rrezikon paqen në rajon. Serbia tashmë e ka të qartë se as nuk mund të përfitojë veriun e Kosovës. As nuk mund të instaloj instrumente për sa kohë Kosova udhëhiqet nga kjo qeveri.
Gazetarja: Pse Borrell e ka shmangur marrëveshjen?
Sadri Rambaja: Siç u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës kjo shmangie është si rezultat i ripozicionimit të Borrell, jo të BE. Duket se presioni i Vuçiç në raport me Borrell ka qenë më i madh. Interesa të palëve kanë prevaluar mbi interesat e Francës e Gjermanisë.
Gazetarja: Pse janë aq të rëndësishme targat?
Sadri Rambaja: Targat janë shkas, rëndësi ka projekti gjermano-francez që bën të mundur ecjen e Serbisë dhe Kosovës drejt BE. Targat dhe pse janë simbol i sovranitetit nuk janë çështje aq të thjeshta. Pala kosovare është treguar e kujdesshme dhe ka bërë lëshime disa herë. Sistemi i lëshimit të targave të huaja janë shkelje e sovranitetit të një vend, askund nuk ndodh një gjë e tillë.
