Rusia shpall non grata aktorin Jim Carrey dhe 99 kanadezë të tjerë

Rusia njoftoi sot se do t'ua ndalojë hyrjen 100 kanadezëve, përfshirë aktorin Jim Carrey dhe gazetarë të shumtë, si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga Otava ndaj gazetarëve dhe aktorëve rusë në tetor.

Ky vendim është marrë në përgjigje të praktikës së aplikimit të sanksioneve nga kryeministri Justin Trudeau kundër liderëve rusë, politikanëve, parlamentarëve, gazetarëve dhe personaliteteve në fushën e kulturës”, sqaron Ministria e Jashtme ruse.

Në mesin e atyre që u ndaluan të hyjnë në Rusi është edhe aktori dhe komediani i njohur me famë botërore, 60-vjeçari Jim Carrey.

Gjithashtu në listë, së bashku me yllin e Hollivudit, janë gazetarët Paul Ëorkham të CTV dhe Margaret Evans nga CBC, Caroline Javier, kreu i Institucionit të Sigurisë së Komunikimit, si dhe disa figura kanadeze me origjinë ukrainase.

Moska i akuzon ata për "përfshirje të drejtpërdrejtë në formimin e një politike agresive anti-ruse", thuhet në deklaratë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Kanadaja ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 1,400 personave dhe subjekteve të vendosura ose me origjinë nga Rusia, Bjellorusia ose Ukraina.

Në tetor, Kanadaja vendosi në mënyrë specifike sanksione ndaj gazetarëve dhe mediave ruse, si dhe ndaj aktorëve të konsideruar si "bashkëpunëtorë në dezinformimin" rreth luftës në Ukrainë.