Italia gjobë deri në 1 milionë euro për anijet humanitare me emigrantë

Gjobë deri në 1 milionë euro e sekuestrim i anijeve që kanë transportuar emigrantë, janë disa nga masat që qeveria italiane parashikon t'i përfshijë në draft ligjin mbi planin e përballimit të fluksit të emigrantëve që gjatë ditëve të fundit janë shumëfishuar në brigjet jugore italiane.

Anijet humanitare me emigrantë duhet të dëshmojnë se kanë shpëtuar emigrantë në ujërat e Mesdheut,  të cilët ishin në vështirësi mbytje o në rrezik për jetën. E në rast se nuk do munden ta dokumentojnë këtë akt, atëherë anije me emigrantë nuk do të lejohet të ankorohet në portet italiane e rrezikon sekuestrimin e gjobitjen, mëson Ora News.

Qeveria italiane kërkon të gjej zgjidhje për përballlimin e numrit në rritje të emigrantëve klandestinë duke punuar në drejtime; nënshkrim i marrëveshjeve dy palëshe me vendet e origjinës së emigrantëve dhe hartimi i një kodi për anijet private humanitare që sjellin emigrantë në portet italiane.

Italia kërkon rishikimin e pakteve europiane për shpërndarjen e emigrantëve në vendet anëtare e që deri tani nuk janë respektuar e në samitin e ministrave të brendshëm që do të mbahet në fund të muajti nëntor, qeveria Meloni do t'i kërkoi Komisionit Europian hartimin e një plani për Afrikën ku vendet anëtare të BE, do të impenjohet për të mbështetur me projekte zhvilimi vendet e origjinës nga ky nisen shumica e emigrantëve kalndestinë drejt Europës.

Orët e fundit raporti mes Italisë e Francës ka kaluar momente të tensionuara që kërkuan ndërhyrjen e Presidentëve të dy vendeve. Franca përmes zëdhënësit të qeverisë së saj informoi se nuk do të mbaj premtimin për të marrë 3000 emigrantë nga Italia, 500 prej të cilëve brenda vitit 2022, duke e cilësuar kryeministren italiane "humbëse në këtë kërkesë të saj".

Raporti mes Italisë e Francës sot ka nisur me një bisedë telefonike mes Presidentit Mattarella e Emanuel Macron ku me një komunikatë medaitike të përbashkët kanë nënvizuar rëndësinë e madhe të marrëdhënie mes dy vendeve e nevojshmërinë e një bashkëpunimi të plotë mes dy vendeve në cdo sektorë, si në nivel dypalësh ashtu dhe në nivel europian.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi është në përgatitje të aktivizimit të dekreteve të sigurisë anti emigracionit klandestinë, aprovuar katër vite më parë kur në krye të kësaj ministrie ishte Matteo Salvini.

Në të dhënat e përditësuara të Ministrisë së Brendshme Italiane, prej 1 janarit 2022 e deri më 11 nëntor 2022 në Itali kanë zbarkuar 90.297 emigrantë, kundrejt 57.812 që ishte numri i tyre në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Gati 10 mijë prej tyre janë minorenë të pashoqëruar e shumica e tyre mbërrijnë nga Egjipti, Tunizia, Bangladeshi, Siria, Afganistani.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.