Britania e Madhe, 8 mln £ më shumë Francës për të ndaluar emigrimin e paligjshëm nga La Mansh
Britania e Madhe ka marrë masa shtesë për të parandaluar emigrimin e paligjshëm përmes kanalit La Mansh. Mbretëria e Bashkuar do t’i japë Francës 8 milionë paund më shumë për policët kufitarë që kontrollojnë brigjet nga ku nisen emigrantët me gomone.
Mbretëria e Bashkuar do t’i paguajë Francës 8 milionë paund në vit më shumë, sipas një marrëveshjeje në përpjekje për të ndaluar njerëzit që kalojnë Kanalin La Mansh me gomone.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja britanike e Brendshme Suella Braverman gjatë një udhëtimi në Paris.
Shuma që Britania e Madhe i paguan Francës për të mbuluar koston e patrullimeve të shtuara do të rritet nga 55 milionë paund vitin e kaluar në 63 milionë paund këtë vit.
Sipas marrëveshjes, oficerët e policisë në Mbretërinë e Bashkuar do të bashkëpunojnë me homologët e tyre francezë në dhomat e kontrollit dhe nëpër plazhe.
Numri i oficerëve që patrullojnë brigjet franceze në përpjekje për të ndaluar emigrantët do të rritet nga 200 në 300.
Më herët kryeministri britanik Rishi Sunak tha se do ta bënte uljen e mbërritjes së emigrantëve në vend, prioritet të qeverisjes së tij.
Qeveria e tij gjendet nën presion për kalimet e paligjshme.
Më shumë se 40,000 njerëz kanë kaluar me varka të vogla deri më tani këtë vit, nga 28,526 vitin e kaluar dhe 8,404 një vit më parë.
Sipas autoriteteve britanike, rreth 12 mijë e tyre janë shqiptarë.


