Krime lufte në Kherson, Zelenski akuzon Rusinë për vrasje civilësh në qytetin e çliruar
Kievi pretendon se ka gjetur prova se janë kryer krime lufte në qytetin e çliruar Kerson në Ukrainë. Ai akuzon Moskën për vrasje civilësh të cilët janë gjetur të varrosur bashkë me trupat e ushtarëve. Zelenski shpreson për një javë diplomatike të rëndësishme për Ukrainën në samitin e G20 në Bali.
Pak ditë pas tërheqjes së trupave ruse dhe çlirimit të qytetit gjoja të aneksuar nga Rusia, Kerson presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski akuzoi Moskën se ka kryer krime lufte edhe në këtë rajon.
Kreu i shtetit pretendoi se trupat e civilëve janë gjetur të varrosur dhe për këtë premtoi që provat t’ia japë drejtësisë.
"Investiguesit kanë dokumentuar tashmë më shumë se 400 krime lufte të Rusisë. Trupat e civilëve të vrarë janë gjetur bashkë me ushtarët. Në rajonin Kerson, ushtria ruse ka lënë pas të njëjtat mizori si në rajonet e tjera të vendit tonë, ku mundën të hynin. Ne do të gjejmë dhe do t’i japim drejtësisë çdo vrasje pa asnjë dyshim," tha ai.
Më herët, Kievi ka akuzuar ushtrinë ruse se ka kryer krime lufte në Kiev, Sumi, Buça dhe rajone të tjera të vendit të cilat u zbuluan pas tërheqjes së trupave të Moskës.
Zelenski ka besim se samiti i G20 që do të mbahet në Bali do të prodhojë përparim për Ukrainën.
"Ne po përpiqemi në mënyrë aktive për një javë të rëndësishme për Ukrainën, një javë diplomatike. Samiti i G20 do të mbahet në Indonezi dhe pozicioni jonë do të prezantohet në të. Do të jetë shumë kuptimplotë. Do të japim përgjigje për shumë pyetje që janë ngritur deri tani. Përgjigje publike. Të dëgjohemi nga të gjithë njerëzit, gjithë partnerët, gjithsecili që na suporton ne," tha ai.
Në samitin e G20 bën pjesë edhe Rusia.
Vladimir Putin ngurroi të marrë pjesë fizikisht në të dhe delegoi ministrin e Jashtëm të vendit, Sergej Lavrov për të përfaqësuar vendin