Lavrov përfundon në spital në Indonezi, Rusia mohon lajmin, publikon videon nga hoteli

Ministri i jashtëm rus është transportuar për në spital në Indonezi, pasi ka patur probleme shëndetësore.

Mësohet se ai ka shfaqur probleme shëndetsore gjatë vizitës së tij në Indonezi, në kuadër të samitit të G20.

Menjëherë pasi lajmi u bë i ditur nga mediat ndërkombëtare, Rusia i quajti të rreme raportimet për shtrimin në spital të Sergej Lavrov në Indonezi. 

Reuters publikoi një deklaratë të përfaqësueses së Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila e cilësoi informacionin për transferimin e tij në spital si lajm të rremë dhe se ai ndodhet në hotelin e tij.

Maria Zakharova ka postuar një video me Sergej Lavrov nga hoteli i tij, duke dashur të japë një përgjigje në këtë mënyrë për mediat ndërkombëtare.

 "Zoti Lavrov, ka raporte se jeni në spital," dëgjohet duke thënë Zakharova, ndërsa ministri i Jashtëm rus i përgjigjet:

"Dhe zoti Putin ka thënë për 10 vjet që është i sëmurë, kështu që nuk është asgjë e re në politikë botërore ."

"Unë do të doja t'u kërkoja gazetarëve të huaj që të jenë pak më të sinqertë se sa janë, të shkruajnë pak më shumë për të vërtetën dhe të mos kufizohen në një kënd përmes të cilit filtrojnë gjithçka ku përfshihen interesat ruse në një mënyrë ose në një tjetër. Qytetarëve tanë u them një falenderim të madh për mbështetjen e politikës së jashtme të presidentit tonë, të cilën ne po mundohemi ta zbatojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Lavrov në video.