Reja “thumbon” lojtarët e skuadrës së parë: Shpesh herë jemi mendjemëdhenj…

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edoardo Reja prezanton sfidën me Katarin, miqësorja e dytë jozyrtare brenda dy javëve për skuadrën kuqezi. Pas duelit me Arabinë Saudite, italiani 77-vjeçar i stolit të Kombëtares vë theksin në rëndësinë që ka kjo përballje për të rinjtë e futbollit shqiptar, që sipas tij meritojnë të jenë nën vezhgim të vazhdueshëm dhe në orbitën e Kombëtares. Reja nuk jep emra të veçantë si kandidatë për të veshur fanellën edhe në të ardhmen, ndërsa nuk jep asnjë informacion edhe në lidhje me të ardhmen e tij në stolin kuqezi.

“Nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me herën e fundin. Nuk ka asnjë të re. Kur të mbarojë kontrata do të ulemi me të gjithë dhe do të diskutojmë për të ardhmen”.

Ai rithekson më pas edhe fokusin te futbolli vendas për të zhvilluar sa më shumë ekipet e grupmoshave.

“Duhet të punojmë shumë me të rinjtë, me bazën. Lojtarët e kanë marrë formimin e tyre dhe baza është shumë e rëndësishme. Fokusi në Shqipëri duhet të jetë te futbolli i moshave, për të formuar lojtarët në aspektin taktik. Lojtarët fizikisht ishin shumë mirë, por nga ana taktike kanë probleme. Duhet të jemi më shumë konkurrues për t’u rritur. Kam ndjekur Kombëtaren U-17, mund të them që ka një përmirësim gradual, duhet të përmirësohemi. Janë shumë të vlefshme këto teste, për të parë se ku jemi dhe sa të aftë jemi për t’u përballur me Kombëtaret e tjera. Për lojtarët e kampionatit shqiptar është mundësi e mirë për eksperiencë. Të rinjtë duhet të rriten sa më mirë dhe të përmirësohen veçanërisht në aspektin taktik”.

Në fund, Reja ndalet sërish te shanset që mund të ketë Shqipëria për t’u kualifikuar në Euro 2024.

“Pritshmëritë e mija janë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. sa i përket kompeticionit zyrtar, unë mendoj se i kemi shanset tona për t’u kualifikuar. Polonia dhe Çekia janë kundërshtarë shumë të fortë, por nëse rregullojmë gabimet tona ne mund të jemi konkurrues dhe të dalim të dytët. Për mua të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Lojtarët kanë një rast për të treguar edhe vlerat e tyre. E njëjta gjë është dhe ndeshja me Italinë, që motivimi është diçka tjetër. Për mua e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona. Meraku i vetëm është mentaliteti. Disa herë tregohemi mendjemëdhenj me veprimet tona në fushë. Është i vetmi problem që unë kam hasur te Kombëtarja shqiptare dhe mendoj se duhet rregulluar”.