Serbët që mbanin poste publike largohen nga institucionet e Kosovës

Siç paralajmëruan serbët e Kosovës kanë vendosur të largohen nga institucionet e Prishtinës. Ikja demonstrative vjen pasi autoritetet e vendit shkarkuan drejtorin e veriut për Kosovën i cili është një shtetas serb, pasi ky i fundit ngurroi të zbatojë urdhrin e Ministrisë së Brendshme.

Partia më e madhe që përfaqëson serbët në veri të Kosovës ka vendosur që të largohet nga institucionet e Prishtinës.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Listës Serbe të mbajtur mesditën e së shtunës në Zveçan dhe ai vjen pasi autoritetet kosovare pezulluan drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç.

Ky i fundit refuzoi që të zbatojë vendimin e qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në sistemin RKS.

Vetë kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Goran Rakiç: Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri.

Në këtë takim - me dyer të mbyllura - kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.

Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Ndërkohë një mbledhje me në fokus Kosovën është mbajtur edhe në qeverinë serbe të shtunën.

Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit.