Nuk zbatoi vendimin për targat, pezullohet drejtori i policisë në veri, reagon Serbia
Ushtruesi Drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pezulluar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.
Por, nga Serbia kanë dënuar këtë vendim të institucioneve në Kosovë.
“Ata nuk duan të marrin pjesë në persekutimin e popullit serb, sepse nuk është ky qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ku është gabimi kur Gjuriç tha se nuk do të marrë pjesë në vendimet e [kryeministri i Kosovës,] Albin Kurtit, të cilat janë politike”, tha drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç.
Sipas njoftimit, pezullimi i Gjuriçit u bë për shkak të "mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare".
Pezullimin e Gjuriçit e rekomandoi më herët gjatë 3 nëntorit Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tha se Gjuriç dyshohet për veprat penale "Sabotim" dhe "Thirrje për rezistencë".
