Ish-boksieri i peshave të rënda nën akuzë për trafikimin e mbi 1 miliard dollarëve kokainë
Malazezi Goran Gogiç akuzohet se ishte pjesë e një rrjeti që transportonte një sasi të madhe droge nga Amerika e Jugut në Evropë.
Ish-boksieri profesionist Goran Gogiç është arrestuar në SHBA dhe ndodhet përballë drejtësisë amerikane nën akuzë për transportin e më shumë se 20 tonëve kokainë me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
43-vjeçari u arrestua nga autoritetet të dielën mbrëma në aeroportin ndërkombëtar të Majamit teksa po përpiqej të hipte në një fluturim për në Cyrih, Zvicër, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Ai akuzohet se ka mbikëqyrur logjistikën e dërgesave të kokainës në bordin e anijeve të ngarkesave që shkonin nga Amerika e Jugut në Evropë që kalonin nëpër portet në Shtetet e Bashkuara, tregojnë dokumentet e gjykatës.
Kjo është një nga sasitë më të mëdha të kokainës të kapura ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim nga 10 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Ai madje dyshohet se përdori kontejnerë transporti për të transportuar kokainën përmes Shteteve të Bashkuara kryesisht në Evropë. Droga vinte nga Kolumbia.
Mediat amerikane raportojnë se droga transportohej me anije mallrash tregtare. Gogiç dhe bashkëpunëtorët e tij punuan me anëtarët e ekuipazhit për të transportuar drogën me skafe të vogla.
Ata u ngarkuan më pas në anije më të mëdha në pika të ndryshme dhe gjatë natës.
Pjesa më e madhe e drogës u kap në portin e Filadelfias, SHBA, në dy anije të mëdha - MSC Desiree dhe MSC Gayane.
Pjesa tjetër e drogës u gjet në MSC Carlotta në portin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit.
Autoritetet amerikane thanë se sasia e kokainës së kapur në bordin e MSC Gayane ishte një nga më të mëdhatë në historinë e SHBA.
Gogic, me origjinë nga Mali i Zi, u tërhoq nga boksi profesionist në vitin 2012.
