Kishte grisur foton e themeluesit të Republikës Islamike, vajza vdes nga dhuna e policëve në Iran
Forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë një tjetër nxënëse pasi ajo hoqi nga librat e saj portretet e themeluesit të Republikës Islamike.
Një grup policësh bastisi një shkollë të mesme në qytetin lindor të Iranshahr të martën e kaluar për të gjetur ndonjë gjurmë të pjesëmarrjes së nxënëseve në protestat antiqeveritare mbarëkombëtare.
Agjencia e lajmeve Halwash dhe Fushata e Aktivistëve Baloch, të cilat monitorojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin Balochistan të Iranit, identifikuan vajzën si Parmis Hamnava.
Ajo u rrah rëndë me shkopinj pasi forcat e sigurisë panë librat e saj pa portretet e themeluesit të Republikës Islamike dhe vdiq disa orë pasi mbërriti në spital.
Tekstet shkollore në Iran fillojnë me një portret dhe një citim nga Rohullah Khomeini, themeluesi i regjimit aktual.
Agjencitë e inteligjencës më vonë kërcënuan familjen dhe miqtë e saj që të mos e zbulonin vdekjen e saj në media, raportoi media iraninane.
Nxënësit në mbarë Iranin i janë bashkuar protestave mbarëkombëtare ditët e fundit, duke çuar në përleshje me mësuesit dhe forcat e armatosura të sigurisë, të cilët kanë arrestuar disa vajza adoleshente që dyshojnë se kanë marrë pjesë në demonstrata.
“Rojet e sigurisë hynë në shkollë të martën e kaluar dhe kontrolluan librat e të gjithë nxënësve, ajo kishte grisur fotografitë e Khomeinit. Për këtë ata filluan ta rrihin atë në sy të studentëve të tjerë”, tha një burim.
“Hunda i rridhte shumë gjak dhe ajo u dërgua në spital... Ajo vdiq të mërkurën dhe u dërgua në Zahedan për tu varrosur”, shtoi ajo.
Zyrtarët lokalë kundërshtuan raportet për vdekjen e saj dhe fajësuan 'mediat armike' për përhapjen e propagandës kundër regjimit.
Autoritetet iraniane kanë fajësuar gjithashtu mediat për "stisjen e vdekjeve" për ata që janë vrarë që nga fillimi i trazirave, duke përfshirë të paktën 32 fëmijë.
