Scholz, presion dy palëve për të pranuar propozimin franko-gjerman

Ndërsa tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë të ndalur, qeveria gjermane do të përpiqet të enjten që të shuajë incidentet përmes Procesit të Berlinit me ç’rast do t’u bëhet presion dy kryeqyteteve për të zhbllokuar tregtinë rajonale të Ballkanit si dhe pranimin e propozimit franko-gjerman.

Media publike gjermane Deutsche Welle ka shkruar se Franca dhe Gjermania pritet të rrisin presionin diplomatik mbi Kosovën dhe Serbinë në lidhje me propozimin e bërë prej dy qeverive për përparimin e dialogut.

Disa qarqe qeveritare nga Berlini thanë të martën se tashmë ka ardhur momenti i së vërtetës për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të rijetësimit të Procesit të Berlinit, samit i cili mbahet pas 2 vitesh të enjten.

Një zyrtar gjerman ka deklaruar se nuk ka më vend për tensione të ndezura mes Kosovës dhe Serbisë dhe kanë thënë se do të rrisin presionin ndaj dy kryeqyteteve me qëllim sheshimin e mosmarrëveshjeve.

Statusi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë e ka penguar progresin e Tregut të Përbashkët Rajonal që është në fokus të Procesit të Berlinit.

Që kur u iniciua nisma në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel, është arritur vetëm heqja e tarifave Roaming.

Katër marrëveshjet e mobilitetit të arritura në samitin hibrid të Sofjes, në nëntor 2020, mbetën të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.