Turqia nxjerr në treg makinën e parë elektrike Togg, Erdogan e provon i pari (video)

Kombi dëshmitar i përmbushjes së ëndrrës 60-vjeçare, thotë presidenti turk Erdogan

Turqia bëhet gati të nxjerrë në treg makinën e parë elektrike vendase disa muaj para zgjedhjeve presidenciale

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë në inaugurimin e makinës së parë elektrike C-SUV të prodhimit vendas ndërsa vendi të shtunën festoi 99-vjetorin e Ditës së Republikës.

Erdogan bëri një provë kur mori pjesë në ceremoninë e hapjes së kampusit Togg Gemlik në provincën veriperëndimore të Bursës, ku makina do të hyjë në prodhimin seri.

Pavarësisht suksesit të makinës, grupi opozitar turk, thotë se kjo është një mënyrë e Erdogan për të ndikuar popullin pranë zgjedhjeve të vitit 2023.

Makina e parë elektrike e Turqisë Togg do të dalë në rrugë në tremujorin e parë të vitit 2023. Kur kampusi Togg Gemlik të arrijë kapacitetin e plotë, aty do të prodhohen çdo vit 175,000 automjete dhe do të punësohen 4,300 njerëz në mënyrë të drejtpërdrejt dhe 20,000 në mënyrë indirekte.

Qytetarët do të mund të porosisin paraprakisht automjetet Togg që nga shkurti i vitit 2023.

TOGG

Në qershor 2018, pesë gjigantë industrialë: Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding si dhe një organizatë ombrellë, Unioni i Dhomave dhe Bursave të Mallrave të Turqisë, u bashkuan për të krijuar TOGG, raporton AnadoluAgency.

TOGG deri në vitin 2030 do të prodhojë pesë modele të ndryshme – SUV, sedan, C-hatchback, B-SUV, B-MPV  dhe do të zotërojë të drejtat e tyre të pronësisë në çdo aspekt.

Përveç objekteve të inxhinierisë, projektimit dhe prodhimit, dyqani më i pastër i bojës në Evropë do të vendoset gjithashtu në kampusin Gemlik, ku makina elektrike e prodhuesit turk të automjeteve Togg do të prodhohet në masë.

Makina është projektuar nga kompania italiane e dizajnit Pininfarina, e cila ka krijuar modele për Ferrari dhe prodhuesin e makinave elektrike me bazë në Kaliforni, Karma.

Togg ka zgjedhur kompaninë e avancuar të teknologjisë së baterive litium-ion Farasis si partnerin e saj të biznesit për baterinë. Automjeti parashikohet të arrijë 80% të karikimit në më pak se 30 minuta me karikim të shpejtë.

Togg do të ketë një rreze prej 300 kilometrash deri në 500 kilometra (186 milje-310 milje) në varësi të modelit që preferohet.

Testet e pistës treguan se makinës me 200 kuaj fuqi do t'i duhen rreth 7.6 sekonda për të kapur shpejësinë nga zero në 100 km/h dhe nën 4.8 sekonda me një motor 400 kuaj fuqi.

Automjeti do të jetë i lidhur vazhdimisht me internetin nëpërmjet 4G dhe 5G.

Togg u bë marka e parë turke që mori një çmim iF Design në 2021, një nga çmimet më prestigjioze të dizajnit në botë, me modelin e saj C-SUV.

Makina autoktone do të mbështetet edhe nga qeveria me ulje taksash dhe stimuj ekonomik.