Çfarë bisedoi Biden dhe Sunak? Liderët: Bashkërendim për luftën në Ukrainë dhe përballë Kinës

Amerikanët dhe britanikët janë në të njëjtën linjë për luftën në Ukrainë dhe përballjen me Kinën. Këtë e kanë konfirmuar edhe dy liderët në telefonatën e tyre të parë. Londra dhe Uashingtoni janë bashkë në sfidat përpara, thanë liderët.

Shefi i ri i qeverisë britanike Rishi Sunak ka zhvilluar bisedën e tij të parë telefonike me presidentin amerikan Joe Biden mbrëmjen e së martës.

Liderët e dy vendeve ranë dakord se lufta në Ukrainë dhe qëndrimi i unifikuar përball Kinës është linjë e përbashkët në politikën e jashtme të të dyja vendeve.

Britanikët dhe amerikanët kanë dhënë ndihma të mëdha në favor të ushtrisë ukrainase për të përballuar pushtimin rus, teksa vetë Boris Johnson do të largohej nga posti duke thënë se në këto kohë të turbullta duhet të qëndrohet afër amerikanëve.

Sa i përket Kinës, britanikët kanë afruar qëndrimin e tyre me atë të amerikanëve, gjatë qeverisjes së Johnsonit, duke e cilësuar gjigantin aziatik si kërcënim gjeostrategjik.

Si Britania dhe Amerika në këto çaste po përballen me inflacion të lartë, ku, ndërsa Britania e kaloi sfidën e qeverisjes dhe krizës në Ëestminister, amerikanët shkojnë te kutitë e votimit në nëntor për zgjedhjet afatmesme për Kongresin.

Presidenti Biden e përshëndeti emërimin e Sunakut në krye të kabinetit britanik duke thënë se ky është një moment historik dhe mjaft befasues.