Kosova nuk i bindet SHBA-së, politika kërkon mos shtyrje të afatit për targat
Edhe pse SHBA kërkuan që vendimi i targave ilegale në Kosovë të shtyhet edhe për 10 muaj të tjerë, politikanët kosovarë nuk janë dakord me këtë qasje. Zyrtarët qoftë të pozitës dhe opozitës I kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që mos të shtyjë sërish vendimin për konvertimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe pasi sipas tyre shtyrja dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës.
Nëntë ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, Qeverisë së Kosovës i kërkohet që mos të shtyjë sërish vendimin për konvertimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në republikën e Kosovës.
Pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit edhe për dhjetë muaj, pozitë, opozitë dhe njohës politik, kërkojnë që vendimi të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
Nga ana tjetër, nga ekzekutivi thonë se kanë obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe zbatimin e vendimeve qeveritare.
Kanë qenë politikanët kosovarë të cilët kanë thënë se nuk duhet të bëhen tolerime që e vënë në pikëpyetje vet seriozitetin e normalizimit të marrëdhënieve.
Sipas qeveritarëve vendosja e datave dhe shtyrja e tyre dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe se institucionet që janë të thirrura për zbatimin e ligjit duhet të reagojnë për implementimin e vendimit, sido që reagojnë qytetarët serbë në Kosovë.
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Esocbar gjatë qëndrimi të tij në Kosovë këtë javë, kërkoi që vendimi për targat ilegale të shtyhet edhe për dhjetë muaj të tjerë, në mënyrë siç ka thënë t’iu jepet mundësi serbëve vendas t’i konvertojnë ato në Kosovë.
Qeveria e Kosovës një herë ka shtyrë afatin për targat ilegale për 1 muaj me kërkesë të SHBA-së, si pasojë e bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës nga serbët vendas.
Afati prej dy muajsh për targat ilegale ka nisur më 1 shtator dhe përfundon me 31 tetor. Ekzekutivi ka paraparë shumë lehtësira për konvertimin e tyre në republikën e Kosovës, mirëpo interesimi deri tani ka qenë shumë i vogël.

